Një 39-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, duke dëmtuar traun e hyrjes së Portit të Durrësit.
Në pranga ka rënë shtetasi A. Ll., banues në Qerret, i cili ka qenë duke drejtuar mjetin e tij në gjendje të dehur, kur është përballur me policinë.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Kundërshtoi punonjësit e sigurisë portuale, arrestohet në flagrancë një 39-vjeçar. Specialistët e qarkullimit rrugor në Drejtorinë Vendore Durrës, në vijim të punës për ndëshkimin e drejtuesve që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur, arrestuan në flagrancë shtetasin: A. Ll., 39 vjeç, banues në Qerret, Durrës.
Ky shtetas, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Land Rover”, në P. K. K., Durrës, nuk i ka ndaluar shërbimit të sigurisë portuale duke dëmtuar traun e hyrjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtim i punonjësit që kryen detyrë shtetërore” dhe “Shkatërrim prone”.