Një tjetër vrasje mafioze tronditi kryeqytetin mbrëmjen e së hënës. Ngjarja ndodhi në zonën e Astirit ku rreth orës 20.45 u ekzekutua 28-vjeçari Vilson Noka. Ai ishte duke pire kafe në një lokal kur është thirrur të dalë jashtë nga një person.
Në një rrugicë pranë lokalit ai është qëlluar duke humbur jetën në vend. Me origjinë nga Dibra ai kishte ardhur në Tiranë për të varrosur gjyshen, e cila kishte ndërruar jetë para pak ditësh.
Vilson Noka që njihej edhe me emrin Tafçiu, 28 vjeç, nuk është i panjohur për policinë.
Ai ka ikur nga Shqipëria më 7 mars të vitit 2018 për në Francë.
Në 12 mars të 2018 e kanë arrestuar po në Francë për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Pasi ka kryer 8 muaj burg, në 6 nëntor të vitit 2018 është deportuar nga Franca për në Shqipëri.
Ndërkohë policia ka njoftuar se viktima Vilson Tafçiu (Noka), është qëlluar nga autorë ende të paidentifikuar me 3 plumba, duke e lënë të vdekur në vend.
Mësohet gjithashtu se policia është duke hetuar në dy pista, në atë të së kaluarës së viktimës, por nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të ketë ardhur edhe për shkaqe xhelozie.