Harrojini ditët me diell. Të paktën për javën që nis nesër.
Java që vjen do të dominohet nga vranësirat dhe reshjet e herëpashershme të shiut në pjesën më të madhe të ditës.
Kështu thuhet në njoftimin e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, sipas të cilit, "reshjet e shiut do të jenë në shumicën e ditëve me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar në formën e shtrëngatave. Përjashtim bëjnë këtu dita e Mërkurë me reshjet të cilat në zonën e qendrës dhe atë të veriut lokalisht do të jenë me intensitet deri të lartë në formën e stuhive".
Njoftimi i plotë i Shërbimit Meteorologjik Ushtarak:
Përshëndetje nga SH.M.U!
Pas një kohe të gjatë me mot me diell dhe “thatësirë” sa i përket reshjeve të shiut tashmë situata meteorologjike mbi vendin tonë ndryshon totalisht. Në këtë mënyrë kryefjala për javën që kemi përpara do të jetë moti i paqëndrueshëm shoqëruar me vranësira mesatare dhe të dendura si dhe reshje shiu të herëpashershme përgjatë pjesës më të mdhe të ditës. Por nuk do të mungojnë as orët me diell edhe pse ato do të jenë të shkurtra me intervale disa orësh.
Reshjet e shiut do të jenë në shumicën e ditëve me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar në formën e shtrëngatave. Përjashtim bëjnë këtu dita e Mërkurë me reshjet të cilat në zonën e qendrës dhe atë të veriut lokalisht do të jenë me intensitet deri të lartë në formën e stuhive. Nga ana tjetër dita e Enjte do të ketë mot me diell dhe vranësira kalimtare.
Nuk do të mungojnë gjithashtu reshjet e dëborës (lokalisht të dendura) në relievet malore të vendit por relativisht më të theksuara në zonën e Alpeve dhe verilindje. Përgjatë orëve të vona të natës dhe ato të para të mëngjesit ku temperaturat bien; në zonën e verilindjes dhe alpe në lartësi mbi 500 metër reshjet e shiut konvertohen në reshje dëbore ndërsa në juglindje në lartësitë mbi 700-800metër.
Në fushën termike temperaturat do të kenë luhatje nga dita në ditë por në përgjithësi ato do të variojnë nga -2ºC deri në 10ºC në vlerat e mëngjesit si dhe deri në 8ºC deri në 15ºC në ato të mesditës.
Qëndroni me SH.M.U për përditësime të herëpashershme.