Sizmologu Llambro Duni qetësoi qytetarët për tërmetin e regjistruar në orën 02:40 të natës së kaluar, me magnitudë 3.6 të shkallës rihter, duke rikthyer panikun.
“Është në kuadrin e paslëkundjeve. Tërmeti i 26 nëntorit, në madhësinë që ka pasur, do të shoqërohet me pasgoditje, që do të vazhdojnë për disa muaj. Kjo e natës së kaluar është e kësaj natyre, kështu që mendoj se nuk ka vend për t’u shqetësuar. Kjo ngjarje e fortë do të pasohet me ngjarje shumë herë më të vogla, ndonjëra prej të cilave edhe do të ndihet”, tha sizmologu.
Sa ishte magnituda e saktë e lëkundjes së mbrëmshme?
Raportimet tona janë në shkallën e magnitudës lokale. Nëse flitet për magnitudën lokale, është mirë që të gjithë t’i referohemi Institutit tonë, ndaj dhe madhësia e lëkundjes ishte 3.6.
Nëse do kemi lëkundje të tjera nuk është vend për panik?
Jam i bindur që nuk do të ketë ngjarje me magnitudë më të lartë, do të ketë ngjarje me magnitudë më të vogël.