Bardhok Çerri nga fshati Bizë i Ishmit është invalid i punës qysh prej 38 vjetësh. Ashtu si shumë familje të tjera, edhe këtij invalidi, tërmeti i dëmtoi rëndë shtëpinë duke ia bërë të pabanueshme.
Specialistët e bashkisë së Durrësit i kanë vënë tabelën që thotë se banesa përbën rrezik shembjeje dhe ndalohet hyrja në të.
Familja e tij e u pajis me një çadër verore ku ata janë të detyruar të qëndrojnë, pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër ku të shkojnë. Ata thonë se çadra, e hollë, për ditë të nxehta plazhi, nuk është në gjendje të ndalë të ftohtin e këtij dimri, as lagështirën.
Sa herë bie shi, ai futet brenda duke e bërë tejet të vështirë jetesën në të. Bardhoku si invalid ka kërkuar disa herë që t’i jepet një kontenier, por kjo kërkesë nuk i është plotësuar megjithëse logjikisht dhe ligjërisht ai si invalid duhet të ishte pajisur me kontenier.
“Njësia administrative e Ishmit, - siç thotë Bardhoku, - kontenierët i ka shpërndarë me miqësi" dhe kërkesa e tij nuk është marrë në konsideratë.
Bardhoku bën lutje për ndihmë, i braktisur nga shteti, me sytë vetëm nga Zoti, sepse gjendja e tij shëndetësore ia vështirëson jashtë mase jetesën në çadër, ku era dhe shiu depërtojnë nga të gjitha anët; acari u ngrin trupin netëve dhe lagështira po u hyn thellë në kocka.