Studentja shqiptare Silvana Doçi ka arritur të largohet sot nga qyteti karantinë Wuhan, ku kishte mbetur e izoluar në kampusin universitar për shkak të koronavirusit, në gjendje të mirë shëndetësore. Evakuimin e saj e ka mundësuar qeveria turke, me avion ushtarak turk, me kërkesë të Ministrisë shqiptare për Punët e Jashtme.
Pot, Doçi, pavarësisht nga fakti se është larguar pa simptoma të sëmundjes, është e detyruar të qëndrojë 14 ditë në karantinë në Turqi, një masë e detyrueshme kjo në kushtet kur ajo ka udhëtuar me 52 pasagjerë të tjerë nga Wuhan.
Në një deklaratë, Ministria e Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se, në bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm me Ambasadat shqiptare në Pekin dhe Ankara, kanë punuar intensivisht për të finalizuar me sukses largimin nga Wuhan të studentes shqiptare Silva Doçi, e cila mbeti e izoluar brenda ambienteve të kampusit universitar në këtë qytet, pas masave të marra për izolimin e tij në 23 janar 2020
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme duke e ndjekur me prioritet çështjen e studentes shqiptare, në kushtet e vështira kur askush nuk mund të hynte apo dilte në Wuhan, prej ditësh ka qenë në kontakte me palën turke, duke i paraqitur kërkesën zyrtare për të përfshirë edhe studenten shqiptare në operacionin e largimit të ndërmarrë për shtetasit turq që jetonin në Wuhan.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek dhe do të vazhdojë të ndjekë të gjithë procedurën e evakuimit të studentes shqiptare, deri në mbërritjen e saj pranë familjes në Shqipëri.”