‘Një botë e tërë ndën këmbët tona’, ngjashmëria e skajshme e Coronavirusit me Sars-in. Çfarë shkruante mjeku Flamur Topi 17 vite më parë

E mërkurë, 05 February 2020 12:45

Çdo ditë që shkon nga Epidemia e Wuhan coronavirusit- 2019, po provohet ngjashmëria e skajshme me epideminë vërtetë të frikshme të Sars coronavirusit- 2003!

Gati-gati, i njëjti virus (te njejtat karakteristika), te njejtat rruge te perhapjes dhe infektimit, i njejti kuader klinik (shenja), nderlikime serioze te aparatit te frymemarrjes si edhe te njejtat masa te mbrojtjes dhe profilaksise!

Do te ishte krejt njelloj, sikur ne vend te “Sars” tregimi te titullohej “Waund”!
Asgje nuk do te ndryshonte!

Pikerisht, keto karakteristika, e bejne tregimin “Sars” te mjekut te njohur Flamur Topi, te tingelloje mjaft aktual, edhe pse i shkruar plot 17 vjet me pare, ne kulmin e Pandemise tronditese per fatet e njerezimit te vitit 2003!…

NGA FLAMUR TOPI

SARS

tregim 

Kur mësoi lajmin e kobshëm se, brenda disa  muajve, vaksina kundër Hiv Aidsit do të ishte gati, prijësi i mikrobeve, zoti Mikrobios, si një ulkonjë e vetmuar dhe e uritur nëpër natë, lëshoi një sokëllimë aq të mprehtë, sa do të kish tmerruar me siguri edhe më zemërfortët;

– Jo! Jo! Jo! – ulëriti. Nuk duhen lënë! Nuk duhen lejuar! Virus! Virus! – iu kthye gjeneralit imcak, që tani, pas thirrjeve kërcënuese të prijësit, dukej edhe më i vogël.

– Urdhëroni, urdhëroni imzot! – foli Virusi, tek përkulej me nderim.

– Nëse bota e të dukshmëve, arrin të prodhojë vaksinën kundër Hivit tonë, kjo ka për të qenë një nga humbjet më të rënda që mund të kemi pasur ndonjëherë. Ndaj të bëjmë të pamundurën, të pamundurën, për t’i penguar e vonuar sadopak. Një ditë më vonë do të thotë qindra-mijëra të infektuar, mijëra të vdekur…

– Çfarë duhet bërë? Si mund t’i frenojmë ata? – pyeti me zell të tepruar, Virusi.

– Virus! Tani, që vëmendja e armiqve është përqendruar tek Hiv-Aidsi, tani, që institutet kërkimorë më në zë e shkencëtarët më të shquar në botë, merren vetëm dhe vetëm me të, ne mund të përfitojmë nga kjo situatë. Ka ardhur koha, të krijojmë një virus të ri, një sëmundje të re, madje më të rëndë se Hiv-Aidsi. Kështu, do t’i çorodisim të dukëshmit, do t’i detyrojmë të braktisin për ca kohë kërkimet për Hiv-Aidsin e të merren me të panjohurin e frikshëm. Kështu, do t’ua presim hovin e do t’ia ngadalësojmë revanin e nisur, do t’ua zbehim entuziazmin për vaksinën e pritshme antihiv, do t’i bëjmë edhe më shumë pesimistë e të pashpresë duke u kujtuar se gjithnjë do të na kenë pas vetes si hije, si një makth torturues… Ata, zbulo me plot mundime sekretin e një sëmundjeje të rëndë, ata, gjej barin shërues apo vaksinën mbrojtëse, kurse ne si kundërpërgjigje të hidhur, si një peshqesh tragjik, një sëmundje të re, të panjohur për ta, madje edhe më të rëndë…

Virusi, ia kish ngulur sytë dhe po e vështronte si i magjepsur.

– Virus! – e përmendi Mikrobiosi, Virusin e përhumbur. S’është koha për të ëndërruar sy hapur dhe as për t’u nanurisur. Mblidh shtabin dhe grupin e shkencëtarëve genetistë e nisni nga punët! Një dhjetori është dita botërore e luftës së tyre të ndyrë kundër Hivit tonë të shtrenjtë! Me këtë rast, ata mund të bëjnë të njohur botërisht zbulimin e tyre, Vaksinën Antihiv! Në këtë ditë, ne duhet t’ua helmojmë gëzimin, t’ua ngrijmë buzëqeshjen, t’i çorodisim, t’i hutojmë e shokojmë, shkurt, t’ua nxijmë e prishim festën!…

– Si urdhëron, imzot! Ashtu do të bëjmë! Që nga ky çast, derisa të krijojmë virusin e ri, s’do të ketë qetësi e prehje për ne!…

– Të përgëzoj për gadishmërinë dhe zellin tënd, Virus i dashur! Megjithatë, të kujtoj! Nuk të mbetet shumë kohë! Deri më një Dhjetor janë vetëm gjashtë muaj, pra njëqind e tetëdhjetë ditë! Dhe, këtë ditë historike, ose do të të vë në qafë kurorën e dafinës, ose…

Papritur, Mikrobiosi e ndërpreu fjalën në mes dhe e vështroi një çast të shkurtër, thellë-thellë, brenda në bebe. Virusi, pati ndjesinë e çuditshme të një tryele, që rrotullohej e rrotullohej pa mëshirë brenda trupit të vet, në kërkim të ethshëm të një vrime daljeje në kurrizin e tij të brishtë.

“Ose…”, përsëriti me vete Virusi i bërë grusht. E rroku me vështirësi kuptimin e asaj lidhëzeje, që njëmendësohej me tehun e mprehtë të shpatës vrastare, me lakun e lirtë hedhur në qafë, ose me kupën e helmit të gjelbër që me dhunë do ta detyronin të pinte…

Virusi u përkul thellësisht, plot përulësi e nderim.

– Jeta ime, si gjithnjë, në duart tuaja, imzot!…

– Besoj dhe të çmoj, gjeneral Virus! A s’është edhe Hiv Aidsi biri yt? Po Grippi, Hepatiti viral, Parotiti, Variola, Variçela, Fruthi, Morbili, a nuk janë bijtë e bijat tuaja? Ti, Virus, i ke shërbyer shumë botës sonë të të padukshmëve dhe unë kam plot arsye të mburrrem e të krenohem me ty…

Vrasësi i qindra-milionave, gjenerali Virus, ndjeu të ligështohej papritur, të prekej dhe sytë t’i lëngështoheshin. Fjalët e të zotit e kishin bërë me fletë, por edhe e kishin mallëngjyer. Hëngri ca inat me veten, sepse gjenerali i ushtrisë së lavdishme e famëmadhe të viruseve, nuk duhej të qe lëshuar ashtu si një foshnje…

Pakëz i turbulluar, i nëpërmendur, i hutuar, i mjegullt, në të njëjtën kohë edhe fluid, i papeshë, fluturak, i lehtë si një pendë, doli jashtë çadrës së prijësit. Tej tutje, zemërngrirë e prisnin të vetët. Morën frymë të lehtësuar tek e panë dhe nxituan të shkonin me revan drejt tij.

Genetistët mikrobë, morën një vendim disi të papritur. Nuk do të krijonin një virus nga e para, sikurse mendohej. Do të nevojiteshin vite për këtë dhe koha nuk priste, sigurisht. Vendosën të ndryshojnë, të tjetërsojnë në thelb, virusin e quajtur Korona, banorin e urtë e paqësor, saprofit të mushkërive.

Tjetërsimi, nuk qe një gjë e lehtë. Çfarë s’bënë me të, ç’torturë s’lanë pa bërë mbi të, për ta ndryshuar… S’i dhanë të hajë e të pijë për shumë ditë e netë; e torturonin, e godisnin pa mëshirë, e poshtëronin, e fyenin, e varnin me kokë poshtë, e tërhiqnin zvarrë. Gjysmë të vdekur e linin ashtu, gati të braktisur, me orë të tëra. Në pak ditë, e thanë si një cironkë të tymosur për në dimër, aq sa nisi të besojë se vëllezërit donin ta vdisnin dalngadalë, kushedi për ç’shkak, për ç’arsye. Kur ata, megjithatë, i përsërisnin parreshtur se tjetërsimi i tij ishte jetik për botën e tyre të viruseve dhe se ai duhej të mos jepej, por të duronte edhe pakëz, edhe pakëz, ai gati sa nuk thërriste me kujë e t’u thoshte se qenë dokrra të tëra, se ai nuk u besonte, nuk mund t’u besonte…

Në fund, diç morën nga thelbi i trupit të vet e po atë kohë iniektuan pjesëz bërthame të një qenie të panjohur…

Oh, Zot, s’i qe bërë! Fishkur e plakur në pak ditë! Ç’kish mbetur nga Korona i mëparshëm, virusi i ri dhe i pashëm, shpirt dhembshur dhe i mirë?… Të afërmit s’po e njihnin, madje as që besonin kur u thuhej e vërteta. Përbetoheshin se ishte një qenie krejt e ndryshme nga i tyre, një i ardhur nga një botë tjetër. Por, ç’ish ndryshimi i pamjes, i dukjes, përballë atij të shpirtit, thelbit të tij? Qe shndërruar tërësisht në një tjetër gjallesë! I lig, vrasës, gjakftohtë, inatçi, i pabesë, gojështhurur, hakmarrës, zemërgur, katil… O Zot! Me ç’djall geni e kishin gatuar e bërë?

Meqenëse në gjendjen e tij të re nuk mund të thirrej më Virusi i Koronës, e pagëzuan me emrin e shkurtër Sars, duke lënë të nënkuptohej një sëmundje serioze dhe të rëndë të mushkërive…

E klonuan, një proces gati i ngjashëm me fotokopjimin dhe në fund të ditës së parë mund të numëroheshin me shumë mund mijëra miliarda sarsër ushtarë, të gjithë krejt të ngjashëm me njëri-tjetrin, si vëllezërit siamezë…

Ditën e shtatë, hordhia pa krye e mbarim e miliardave të viruseve sarsër, mori më në fund udhën e gjatë për në kontinentin e largët të Azisë. Jo pa arsye vendosën të sulmojnë vendin e madh të miliardëshit, Kinën. Mund të infektonin lehtësisht miliona njëherësh e, për këtë shkak, do t’u merrnin me siguri jetën shumë njerëzve! Së këtejmi, do të sulmonin vende të tjerë fqinj e, kështu, hap pas hapi, do ta zgjeronin rrethin e agresionit duke vënë nën këmbë një hapësirë të pamatë, të pafund…

Por nuk ishte e lehtë të mbërrije në vendin e njerëzve të verdhë me sy të vegjël, që dukeshin si të ardhur nga ndonjë planet tjetër!… Duke lënë pas, sikurse u parashikua, miliarda të vdekur, për shkak të udhës së gjatë e plot mundime, Sarsi mbërriti më në fund në qytetin e vogël kinez Hangzhu me disa miliardë ushtarë.

Qenë aq shumë të dërrmuar, aq shumë të lodhur, të uritur e të papirë, sa gjeneralit Sars i dukej vërtet çudi që ende merrnin frymë, ende jetonin.

Duke u kujdesur të mos pikaseshin, hynë brenda, njëri pas tjetrit, në të parën shtëpi, që u doli përpara…

Të padukëshmit, qetësisht, pa u ndier, u shpërndanë, në mjediset e ndryshme të saj dhe u shtrinë sakaq përdhe thuajse të vdekur…

U doli gjumi vetëm të nesërmen, në mbrëmje vonë. Mezi mundën të rreshtoheshin përpara gjeneralit, po aq të drobitur e rraskapitur si ata.

– E kuptoj gjendjen tuaj të vështirë, lodhjen tuaj të skajshme, por s’kemi kohë për të humbur! Viktima e parë e pritshme sapo mësuam se quhet Çin Çan Çun. Është kreu i familjes së Çunëve. Së andejmi, pushtojmë njëri pas tjetrit, tërë anëtarët e saj. Prej këtej, do të hidhemi në banesën fqinje e kështu me radhë, shtëpi pas shtëpie, zotërojmë tërë qytetin. Sipas së njëjtës rrugë, vëmë nën këmbë qytetet e mëdha, provincat, deri fshatrat më të vegjël e në fund tërë Kinën. Pa u ndalur asnjë grimë, pushtojmë vendet fqinje, pastaj Kontinentin, më tutje tërë kontinentet, vetë Planetin! Bijtë e mi, a e kuptoni, a e ndjeni, e përfytyroni se ç’do të thotë kjo?! Një botë, një botë e tërë ndën këmbët tona! Një botë!…

Ditën e katërt të ardhjes në vendin e madh, ata kishin mbërritur numrin e mjaftueshëm të ushtarëve për të nisur luftën. S’kish më kohë për të humbur! Buçitën me rropamë boritë e alarmit dhe oshëtuan edhe më fort daullet e kushtrimit për luftë…

Gjithçka po ndodhte shumë më thjeshtë nga ç’kishin parashikuar. Pjesë, pjesë, (e kjo donte të thoshte miliarda njëherësh) ata po zbarkonin në gojën gjysmë të hapur të zotit Çun, që flinte.

Sapo merrte frymë, ata hopa, si parashutistë, hidheshin me vërtik drejt e në vorbullën e ajrit, që me shpejtësi marramendëse e presion, drejtohej për në larinks, trake, bronke dhe drejt e në alveola.

Sarsët u shpërndanë sakaq në të dyja mushkëritë e pushtuan segmente të ndryshme të tyre.

Në qoftë se gjenerali Sars kish ndryshuar aq shumë së jashtmi, sa të mos njihej nga fqinjët e tij të dikurshëm alveolarë, sarsët e rinj, në të kundërtën, ngjasonin shumë me viruset e Koronës. Për këtë shkak, pneumocitët e makrofagët mbrojtës, duke i pandehur banorë të natyrshëm të asaj zone të trupit, nuk i penguan në marshimin e tyre për në lobet e poshtme të mushkërive. Kur askush s’e priste, sarsët, nisën papritur të godisnin pa mëshirë, me të gjitha bateritë, banorët paqësorë, mikpritësit e tyre. Prerë hidhur në besë, pa kuptuar gjësendi, tek jepnin shpirt, të gjorat alveola e pneumocitë i vështronin ende si të habitura, si të mos u besohej. Sytë e tyre, që dalngadalë po mjegulloheshin e veniteshin, ngulitur fort tek sarsët, dukej sikur tërë dhembje e dëshpërim të thellë pyesnin: “Edhe ju, o viruse të Koronës, fqinjët tanë, që për vite e vite jetuam së bashku si miq të mirë e paqësorë, paçka se tërësisht të ndryshëm?!”…

Në vend të përgjigjes, që prisnin tërë trishtim e zhgënjim të merrnin, sarsët ua ngulnin edhe më thellë shpatën helmëtare e ata, të pangushëlluar, jepnin në çast frymë…

Sarsët, nuk qenë nga ata që e humbin më kot kohën. Nisën të bombardojnë, të djegin, shkatërrojnë e rrënojnë gjithçka u dilte përpara. Ata përparonin me shpejtësi për në thellësi të mushkërive duke thyer lehtësisht rezistencën e dobët dhe të rastit të trupave mbrojtës.

Çun, u rëndua në pak orë. Të nesërmen, ditën e dytë të sëmundjes, gjendja e tij u bë kritike. E shtruan me urgjencë në spitalin e qytetit dhe u konsultua nga një grup profesorësh e mjekësh të zot. Në fund të vizitës, të gjithë ngritën supet, pa ditur, pa mundur, t’i vinin një emër sëmundjes së panjohur. Dukej si grip, por nuk qe tamam i tillë. Shëmbëllente me pneumoninë, por s’qe ajo e zakonshmja, që njihnin së paku prej pesëdhjetë vjetësh. Atëherë, ç’ish ajo gjendje, aq shumë e rënduar, që gjer atëherë s’e kishin hasur kurrë?!

Në qiell të trupit, fluturuan ulët dhe kërcënueshëm avionët antibiotikë të modelit të fundit. Nisën bombardimet dhe mitralimet e rrepta kundër ushtarëve sarsë, por ata të nëmur jo vetëm nuk fshiheshin e ruheshin, por u kthenin prapanicën, qesëndiseshin, përqesheshin e gajaseshin me zë të lartë!…

Të detyruar, i zëvendësuan me një seri tjetër sulmuesish edhe më të fuqishëm, por sërish asgjë, asgjë!…

Pacienti Çun, mezi po mbushej me frymë dhe mend po mbytej, a thua se i kishin hedhur lakun në fyt e po ia shtrëngonin ca e nga ca. Sa vinte po nxihej e sterrosej nga mungesa në gjak e oksigjenit, kurse tensioni, shkallë-shkallë, po zbriste frikshëm. Temperatura, në të kundërtën, me gjithë antipiretikët e fuqishëm, që i iniektoheshin, po i afrohej pikës kritike të dyzet e dy gradëve celcius. Serumet s’po thitheshin nga venat e zbrazura frikshëm dhe Çuni, mendjehumbur, po shkumbëzonte, dridhej e përpëlitej si i sëmurë epileptik.

Tërë dëshpërim, pa ditur ç’të bënin më shumë, tek shihnin njëri-tjetrin në sy, mjekët kryqëzuan duart mbi gjoks, shenjë kjo e dorëzimit ndaj viruseve të panjohur…

Pacienti Çun, nuk ia mbërriti të shihte agimin e purpurt të ditës së tretë. Të tronditur, të hutuar, të çoroditur, konfuzë edhe më shumë, ia mbyllën sytë ende të hapur dhe e mbuluan me çarçafin e bardhë.

– S’kam parë kurrë, në jetën time të mjekut, një vdekje të tillë! – foli profesori i vjetër Li me zë të ulët si t’i pëshpëriste më shumë vetes, pa ia ndarë vështrimin e dhembshur kufomës, që tani dukej edhe më e verdhë… Të të ikë kështu nga duart për njëzet e katër orë?!… Bah, Perëndia na ruajt! Çfarë sëmundjesh nuk po na shpifen sot!…

Profesori plak, me mjekrën e gjatë, të hirtë, deri në gjoks, duke çapitur ngadalë, ndërsa tundte kokën e diç fliste me veten si i përçartur, ashtu me zë të ulët, ankimtar, vërejtës e qortues, doli jashtë duke lënë pas në klinikën e pathollogjisë atmosferën e rëndë të dyshimeve, hamendjeve, ankthit e frikës…

Nuk u gabua profesori i vjetër Li! Dy ditë më pas u shtruan me urgjencë në spital familjarët e zotit Çun, gruaja dhe vajzat. Po atë natë fqinja, kurse në ditën e pestë vetë profesori Li dhe infermjerja, që i kish shërbyer nga afër zotit Çu.

Tani, s’kishin dyshimin më të vogël! Një sëmundje misterioze, e rëndë, madje shumë e rëndë, po kërcënonte seriozisht jetën e mbi një miliard njerëzve. Hamendjet, u përforcuan, kur u mësua me dridhmë se zonja e shtëpisë, d.m.th gruaja e zotit Çun dhe njëra nga vajzat e saj, megjithë mjekimin intensiv humbën jetën brenda tri orëve që nga shfaqja e sëmundjes!…

Në mesnatë, Ministria Kineze e Shëndetësisë lëshoi sinjalin “S.O.S.” dhe njoftoi tërë shqetësim e alarm Organizatën Botërore të Shëndetësisë…

Njoftimi tronditës mori dhenë! Si lajm të parë atë e transmetuan rrjeti botëror i stacioneve radio-televizivë, internetit dhe Mass-Medias së shtypur. Edicionet e lajmeve të çdo ore, nisnin dhe mbaronin me Sarsin. Emri i ri i të panjohurit shkruhej me gërma të mëdha, që zinin gati gjysmën e faqes së parë të të gjitha gazetave e revistave, të njohura e të panjohura. Befas, krejt papritur, se ashtu kish mbërritur edhe e keqja, planetin e pushtuan ankthi dhe frika e vdekjes milionëshe!…

Enkas, për personelin mjekësor dhe atë të shërbimit të spitaleve, nisën të prodhohen me urgjencë maska speciale me karbon për të penguar sadopak depërtimin e të panjohurit në rrugët e frymëmarrjes.

Pa u mbushur java, maskat u shfaqën edhe në qytete; në rrugë, shëtitore, autobus, metro, aeroport, supermarket, muzeum, stadium, teatër, opera, kishë, xhami, sinagogë, në kultin e Budës, madje deri edhe në procesionet fetare të varrimit!…

Ditët shkonin dhe numri i qytetarëve që mbanin maska në fytyrë po rritej me shpejtësi marramendëse. Veç vetes e fëmijëve, tani, ua vinin edhe kafshëve e shpendëve të shtëpisë; qenve, maceve, papagallëve, majmunëve, deri edhe krokodilëve të basenëve!…

A nuk kish shtruar profesori Li hipotezën se virusi mund të qe marrë nga macja kineze e rracës Sin?!… O Perëndi! Cilit maniak mund t’i kish vajtur ndër mend të bëjë seks me macen Sin?! Zot, na ruaj mendtë! Ç’kohëra perverse kanë ardhur! Ç’kohëra!…

Qyteti dukej e po bëhej gjithnjë e më i përçudnuar! Jo real, jo i besueshëm, si një qytet i vizatuar i filmave multiplikativë apo i atyre fantastikë. Ose, ndoshta, më shumë se kaq. Si një qytet alienësh, “i transplantuar” kushedi se nga ç’planet i largët dhe enigmatik…

Njerëz me maska; burra, gra, fëmijë me maska! Kafshë e shpendë po ashtu… Dukej, sikur Zoti, i kish dënuar njerëzit të mbulonin përgjithnjë faqet, buzët, hundën! Më të trishtuarit dukeshin misset dhe misterat. U duhej të fshihnin ato pjesë të trupit me të cilat mburreshin, krenoheshin, e që, në fund të fundit, i dallonin nga të rëndomtit. Tani, s’qenë tjetër gjë, veç një gjysmë fytyrë e gjysmë maskë!… Madje, punët po shkonin aq larg sa, të detyruar, të dashuruarit putheshin tani nëpërmjet shtresës së katërfishtë speciale të maskës… Kështu, duke mos mundur të shiheshin më buzët, faqet e hundët, befas sytë qenë bërë epiqendra e universit të bukurisë…

Epidemia e frikës, tmerrit, panikut, më të rrezikshëm se vetë Sarsi, po përhapeshin nëpër botë me shpejtësi marramendëse. Nisën për këtë shkak të mbylleshin çerdhet, kopshtet, shkollat, institutet, universitetet, konviktet, qendrat zbavitëse të fëmijëve e rinisë; u pezulluan fluturimet ajrore për në vendet e damkosura me epitetin “Sars”, u rralluan madje vizitat e delegacioneve zyrtarë. Edhe kur bëheshin të mundura, marrëveshjet nënshkruheshin nga përfaqësues të lartë të qeverive gjithnjë me maskën antisars në fytyrë. Tani, zyrtarët hipokritë, e kishin më të lehtë të fshihnin nënqeshjen cinike, tek nënshkruanin marrëveshje të “rëndësishme” ndërshtetërore, për të cilat qenë të bindur se nuk do t’i zbatonin kurrë…

Ajo, që të linte si të shokuar e të pamend, kulmi i kulmeve, ishte pagëzimi martesor i çifteve të rinj. Priftërinjtë me maskë, çiftet po ashtu! Zërat e përbetimit solemn për besnikëri bashkëshortore mezi depërtonin maskën disashtresëshe dhe, “po-ja” ose “jo-ja” e përgjigjes për pyetjet rutinë e monotone të pagëzuesit (po ashtu të largëta si të vinin nga gjithësia), mezi dëgjoheshin, ose kuptoheshin për këtë shkak tjetër për tjetër, aq sa i gjori prift, detyrohej të pyeste sërish, si nga nëntoka…

Oh, Sars! Nga mëngjesi në darkë, nga darka në mëngjes vetëm “Sars”, “Sars”, “Sars”. Qe bërë krejt papritur mallkimi, tmerri dhe kërcënimi serioz i një planeti të tërë! Emri i të urryerit Hiv-Aids po dëgjohej gjithnjë e më rrallë dhe frika e dikurshme ndaj tij po zbehej si pa u vënë re. Thua, vallë, se ky të “falte” dhjetë a njëzet vjet jetë, kurse Sars as edhe një javë?!…

–  Shumë zhurmë për asgjë, i dashur Sars! – qortoi prijësi Virus gjeneralin Sars, që ende qëndronte ulur më gjunjë. – Çfarë janë njëmijë të vdekur për tërë botën?! Ç’janë gjashtëmijë të infektuar?! Edhe sikur të më raportoje për një milion kinezë të vdekur, prapë do të thoja se janë pak, shumë pak!…

– E ç’janë një milion syvegjël përballë një miliard e gjysmë të tjerëve, që ende shohin dhe i falen diellit të tyre, që lind e perëndon kështu, çdo mëngjes, kështu, çdo natë… Është e vërtetë se ti, sapo ke hyrë në luftë, është po ashtu e vërtetë se ke tmerruar botën, i ke kthyer në kohën e maskave dhe u shfaqesh si një makth në mes gëzimeve e dëfrimeve, por është po kaq e vërtetë se vera po afron e koha nuk do të punojë për ne…

– Si bujku i mirë, imzot, kam hedhur farën në të pesë kontinentet. Në verë do të detyrohemi të tërhiqemi paksa, por dimri i ardhshëm ka për të qenë i tmerrshëm për botën! I tmerrshëm! Kam për t’i shuar pa nam e nishan të gjithë, që të gjithë!…

– E çmoj urrejtjen e thellë dhe zemëratën tënde fisnike Sars, por ti e di fort mirë! Punën e gjeneralëve të mi e vlerësoj me numrin e të vdekurve, që më raportojnë! Hiv-Aidsi, është vërtetë ca dembel dhe i javashëm, ama ka rezultate të lëvdueshme! Deri tani, ka infektuar njëqind milionë në të gjithë planetin dhe u ka marrë jetën pesëdhjetë milionë të tjerëve! Tani, ti e merr vesh, sa larg je nga emërmadhi Hiv-Aids?…

– Imzot i ndritur! Falë jush, e ardhmja është e Sarsërve dhe jo e Hivërve!… Në qoftë se do ta kishim nisur luftën në vjeshtë, ose të paktën në fillim të dimrit, do t’ua kishim marrë jetën miliona njerëzve, sepse për çdo vdekje më duhen thjeshtë vetëm disa ditë kurse Hiv-Aid…

– Sars! – e ndërpreu plot zemëratë Virusi. – Po hedh baltë mbi strategjinë time famëmadhe?!… Se, me demek, unë qenkam shkaktari i pothuajse dështimit të planit tonë gjenial?! Sars! Ç’po thua kështu, Sars! – ulëriti prijësi, duke ia ngulur fort vështrimin e mprehtë si shigjeta.

– Më ndjeni Imzot! Më ndjeni shumë! Paskëtaj s’kam për të njohur stinë! Verën dimër kam për ta bërë dhe njerëzve jetën do t’ua nxij!…

– Kështu biri im, kështu më pëlqen! Po të lë një afat të fundit! Le të jetë edhe për ty, sikurse për mua, 1 Dhjetori! Në qoftë se deri në këtë datë, nuk u ke marrë jetën të paktën një milion njerëzve, dhe ky është vetëm fillimi, atëherë…

Të gjorit Sars! Iu fanit i gjallë përpara syve shëmbëllimi gati i harruar i shpatës së gjatë e të mprehtë dhe i lakut të lirtë, që lëvizte ritmikisht plot kërcënim, si një pendul, sa majtas-djathtas, sa djathtas-majtas…

Verë e vitit 2003. Për fatin e tij të zi, koha nuk po punon për gjeneralin Sars dhe ushtrinë e tij shumëmiliardëshe. Bën vapë, shumë vapë. Njerëzia nuk di ku të fusin kokën, për t’i shpëtuar të nxehtit të madh. Ushtarët sarsë s’po munden më të rezistojnë, t’u bëjnë ballë temperaturave të larta mpiksëse.

Janë rreshkur, tharë e plasaritur si toka! Kanë humbur më shumë se gjysmën e peshës së trupit të tyre. Për ironi të fatit, janë bash ata, që tani, mezi po mbushen me frymë e gati po asfiksohen, po mbyten… Jo çdo ditë, por çdo orë e minutë, janë radhët e tyre që, si të kositur, po rrallohen me shpejtësi. Me një llogari të thjeshtë e të shpejtë, i bie që aty, nga fundi i Tetorit, të mos ketë mbetur sars i gjallë e ndoshta edhe gjenerali i tyre emërmadh…

Për herë të parë, Virusi detyrohet të tërhiqet dhe të pranojë gabimin.

– Sars i dashur! Ndoshta ti kishe të drejtë! Vonuam! Duhej të kishim nisur luftën në fillim të vjeshtës… Tani s’ka më kohë për të humbur! Shpëto çfarë të mundesh nga ushtarët e tu sarsë! Shkoni në vende të freskëta. Fshihuni! Vjeshta ja tek vjen. Ndoshta deri atëherë… Sidoqoftë, bëmë diçka… – u përpoq të ngushëllojë veten zoti Virus. Vonuam për disa muaj Vaksinën Antihiv… Ata s’do të jenë gati për më 1 dhjetor, nuk mund të jenë…

Pas një pauze, gjatë së cilës zoti Virus kish rënë në mendime të thella e të mundimshme: “Besoj, ka ardhur koha të mendojmë e përgatitemi për një sëmundje të re, një virus të ri të stinës së verës, të një vere si kjo e tanishmja!”

Duke u kthyer nga Sarsi: “Nëse ti, Sars, bllokoje e paralizoje mushkëritë, virusit të ri mund t’i ngarkojmë një mision të përafërt. Në vend të mushkërive, t’u bllokojë trurin njerëzve, t’ua paralizojë që ata të nëmur të mos jenë në gjendje të mendojnë e gjykojnë. Pakëz vapa, pakëz virusi ynë “Summer”, kështu do të më pëlqente ta thërrisja, dhe ti, Sars, e përfytyron lehtësisht se në ç’gjendje të mjerë e të pashpresë do të katandiseshin të mallkuarit”…

Si i kurdisur, Virusi po fliste parreshtur, a thua se me këtë, nga thellësitë e shpirtit të vet të trazuar, zbrazte të keqen e një qëllimi a synimi të pambërritur.

Sarsi, ia kish ngulur sytë e vegjël si të qelqtë. Prej minutash, i nënshtruari, nuk po shfaqte shenjë vëmendjeje a përqendrimi dhe as po shprehte, si rrallëherë, ndonjë emocion si zakonisht të tepruar. Vazhdonte të vështronte si i përhumbur, pa dhënë ndonjë shenjë se po e ndiqte prijësin. Në të vërtetë, ai s’po shihte kurrgjë, ai s’po dëgjonte ndonjë gjë, ai nuk po mendonte për asgjë… thjesht sepse ai…

Për një çast, Virusi dyshoi. E shtyu lehtësisht trupin, që si të  falej, e vazhdonte të qëndronte i përkulur mbi gjunjë, me vështrimin e ngrirë mbërthyer mbi të.

Si lis i këputur, Sars u rrëzua dhe u shtri, sa gjerë-gjatë nën këmbët e tija…

Tek e nxirrnin jashtë, kufomën ende të freskët të gjeneralit Sars, një pikë loti i rrëshqiti teposhtë faqes së zezë pisanjose…

Në kampin e mikrobeve, dalngadalë po binte mbrëmja. Nga çadra në çadër, nisën të dëgjoheshin pëshpërimat e para të ndrojtura: “Sarsi ka vdekur!”, “Sarsi ka vdekur!”… Pëshpërima nisi të bëhej e dëgjueshme, pastaj të përforcohej e të kthehej në një stuhi të vërtetë zërash deri në torturë për prijësin.

– Jo! Jo! – thirri ai tërë dëshpërim. – Sarsi nuk ka vdekur! Jo! Nuk mund të vdesin gjeneralë si ai! Sars, është larguar për pak kohë në vende të freskëta. Vetëm për pak kohë… Në të hyrë të vjeshtës, Sars, do të kthehet përsëri! Përsëri do të kthehet!…

– Ah, sa do të kisha dëshiruar të ishte kështu! Sarsi i mjerë, biri im i shkretë! – foli Virusi me vete, tërë trishtim.

Drejt çadrës mbretërore, po mbërrinin anëtarët e parë të shtabit dhe genetistët. S’duhej kurrsesi ta shihnin në atë gjendje dëshpërimi dhe dobësie, edhe pse qe krejt e natyrshme, sipas bindjes së tij, të prekej e të mallëngjehej për Sarsin.

– Uluni zotërinj të shtabit, uluni! Zini vend! Kemi përpara një natë të tërë…

Mirë se erdhe Morbil! Mirë se erdhe Gripp! Dhe ti, zonja Variçela, mirë se erdhe! Uluni! Zini vend! Rehatohuni! Merrni një herë frymë… Mblidheni veten! Përpara është nata, është errësira… Passars! Pasaids! Pashiv!… Interesante vërtet, sugjestionuese, joshëse, përkëdhelëse, gati-gati tingëllojnë e shëmbëllejnë si një reklamë! Ja, dëgjojeni… Bota e mikrobeve dhe e viruseve, drejt një epoke të re, të parezistueshme, epokës së Pasars dhe Pasaids. Për çdo sëmundje, një vaksinë dhe, për çdo vaksinë, një sëmundje…

Heshti një çast, si të përmendej. U hodhi një vështrim të shpejtë hetues antarëve të shtabit dhe genetistëve. Po si nuk i kish vënë re më parë?… Ndërkohë, kishin mbërritur të gjithë, kishin zënë vend dhe po e ndiqnin si të shastisur e të hutuar. Vallë, në gjendjen e të tronditurit dhe konfuzit, kish lëshuar ndonjë proçkë?!…

Zënë ngushtë, u gërrye në fyt me zhurmë.

– Mos thashë ndonjë gjë? – pyeti dhe, aty për aty, nxitoi ta kthejë në shaka. – Vallë, rashë i pari viktimë e virusit të ri mendjemarrës, që kam projektuar për të ardhmen?!…

Antarët servilë të shtabit vunë buzën në gaz dhe përplasën lehtë duart, duke i dhënë të kuptojë qartë se u kishte pëlqyer e i kishte lënë pa mend…

*

Brenda çadrës nga jashtë, përmes deriçkës së harruar gjysmë të hapur, depërtoi befas një rrymë përvëluese ajri, duke u kujtuar si pa dashur të gjithëve se, qe vetëm fillimi i verës më të nxehtë të dyqind e pesëdhjetë vjetëve të fundit…

Dikush, brenda çadrës mbretërore, ndën zë dhe si i trembur, guxoi të thoshte se, ndoshta, kjo verë e pazakontë, qe dhuratë e papritur dhe e çmuar e Perëndisë për njerëzit…

– Po Hiv-Aidsin, atëherë, pse e le akoma gjallë, pse e mëshiron?! – pyeti tjetri më brinjë.

– Ndryshe nga Sars, Hivi është rrugaç e pervers! Ndoshta, e le për t’u kujtuar njerëzve mëkatet, që ende vazhdojnë të bëjnë…

Në heshtje, të gjithë së bashku, si në një procesion fetar budist, nisën të luten e falen tërë afsh e shpirt që, vapa e mallkuar, të ikte sa më shpejt dhe sa më larg syresh të qe e mundur…

Vera, sfilitëse dhe vrasëse për ta e 2003-shit, sapo kish nisur…

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...