Tirana nuk po gjen qetësi nga krimi i rrugës. 3 javë pasi 2 të rinj hynë me armë brenda banesës së familjes Laze, në Allias, dhe tentuan t’i grabisin, duke i plagosur, një tjetër episod i ngjashëm është regjistruar në zonën e “21 Dhjetorit”
Preh e tentativës së grabitjes kanë rënë 2 biznese, një agjenci udhëtimesh dhe një market. Rreth orës 21:00 të së mërkurës, një i ri i maskuar dhe i armatosur ka hyrë brenda ambienteve të agjencisë dhe ka tentuar të kryejë grabitje.
Fatmirësisht i riu nuk ka qenë agresiv, dhe pavarësisht se ishte i pajisur me armë zjarri, pasi punonjëset e agjencisë janë tmerruar dhe kanë bërtitur, ai është larguar menjëherë.
Vetëm pak minuta më vonë, dyshohet se po i njëjti person është futur në ambientet e një supermarketi, në zonë, për të kryer grabitje, por pasi ka gjetur kasën e kyçur, ka marrë vetëm disa lekë, që ka gjetur në banak, dhe është larguar. Policia nuk e ka bërë të mundur ende identifikimin e të riut dhe po heton për zbardhjen e ngjarjes.