Trafiku i klandestinëve, 3 të arrestuar në Korçë, një në kërkim

Premte, 21 February 2020 22:49

Policia e Korçës arrestoi tre persona ndërsa shpalli një tjetër në kërkim, të cilët akuzohen pë dhënien e ndihmës së paligjshme për kalimin e kufirit nga shtetasit e huaj.

Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë së Korçës, në pranga janë vënë shtetasit me inicialet: M. D., 46 vjeçe, banuese në Korçë, V. D., 25 vjeç, banues në Korçë (djali i 46-vjeçares) i dënuar më parë për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe N. D., 62 vjeç, banues në Tiranë. Ndërkohë u shpall në kërkim shtetasi me inicialet: N. D., 59 vjeç, banues në Korçë (bashkëshorti i 46-vjeçares) i dënuar më parë për “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Këta shtetas kanë ndihmuar emigrantë të paligjshëm, fillimisht duke i akomoduar në ambientet e hotelit në pronësi të shtetases M. D., në lagjen nr. 9, Korçë, më pas djali i saj me mjetin tip “BMË-X5” në bashkëpunim me shtetasin N. D., i cili ka në pronësi një autobus transporti udhëtarësh të linjës Korçë-Tiranë, kryenin transportimin e tyre në drejtim të kryeqytetit.

Kundrejt fitimit deri në 100 euro (ku përfshihej akomodimi në hotel dhe transportimi drejt Tiranës) këta shtetas iu premtonin emigrantëve të paligjshëm, kalimin e tyre drejt vendeve të BE-së. Në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, u bë e mundur dokumentimi me prova ligjore edhe i disa ngjarjeve të tjera të kryera gjatë periudhës së hetimit, të aktivitetit kriminal të tyre në këtë fushë.

Gjithashtu nga Drejtoria Rajonale e Hetimit Tatimor, shtetasja M. D., është gjobitur me vlerën 50.000 lekë për punonjës të padeklaruar, të punësuar në hotelin e saj. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim më shumë se 1 herë” e cila dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Login to post comments