Prej ditësh asnjë familjar nuk mundet të trokasë në burgje apo paraburgime, për të takuar të afërmit e tyre, të cilët ndodhen prapa hekurave, pasi kanë kryer shkelje ligjore. Kjo me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID 19. Masa drastike është mirëkuptuar nga të paraburgosurit dhe të dënuarit, por ndërkohë është gjetur një tjetër mënyrë që ata të kenë kontakte me familjarët e tyre.
Burime të besuara në burgje thanë për gazetaren Klodiana Lala, se në të gjithë burgjet e paraburgimet në vend, në një ambient të posaçëm, është instaluar skype dhe të gjithë të dënuarit sipas grafikëve flasin me të afërmit. “Ishte e vetmja mënyrë që ata të mund të komunikonin me të afërmit, pasi nëse lejonim takimet dhe kontaktet fizike, ekzistonte mundësia që të infektoheshin të dënuarit me koronavirus dhe situata mund të ishte shqetësuese. Kemi hartuar grafikë dhe në kohën e orarin e përcaktuar të dënuarit shoqërohen në ambientin e posaçëm dhe flasin përmes rrjeteve sociale me familjarët”, tha një zyrtar i burgjeve, shkruan ‘BalkanWeb’.
Kjo mënyrë komunikimi do zgjasë derisa të përfundojnë dhe situate e krijuar në vend pas përhapjes së koronavirusit. Deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare që ndonjë i dënuar apo paraburgosur të jetë infektuar nga COVID-19.