Shqiptarët pa shtet/ 'Rama na premtoi, por Greqia na gjobiti'

Diel, 05 Prill 2020 09:14

Të frikësuar se do të penalizohen për shkelje të afateve të lëvizjes në Shengen dhjetra shqiptarë u bllokuan në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë, ndërsa disa prej tyre u arrestuan ndërsa tentonin të ktheheshin në shtëpi ilegalisht.

Dhjetra shtetas shqiptar janë bllokuar për orë të tëra në tokën neutrale në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës gjatë javës së fundit dhe nuk lejohen të  hyjnë në Shqipëri për mungesë të autorizimeve nga ambasada pas mbylljes së kufijve për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19.

Mjaft prej të bllokuarve u detyruan të kalojnë natën jashtë në të ftohtë dhe dëborë në tokën mes dy doganave. Ata janë lejuar të dalin nga Greqia, por në një qëndrim mjaft të paqartë dhe kontravers policia shqiptare nuk i lejon ata të futen në territorin e Shqipërisë, për shkak të kufizimeve të vendosura prej situatës epidemike edhe pse disa prej tyre nuk mund të kthehen më as në Greqi pasi kanë kaluar afatet e lëvizjes në zonën shengen.

 
 

Nga të dhënat rreth 40 persona mbetën të bllokuar në kufirin shqiptaro- grek në Kapshticë, ndërsa rreth 30 të tjerë u raportuan të bllokuar në Kakavijë. Ndërsa 18 persona u raportuan të arrestuar sepse kaluan kufirin për në Shqipëri ilegalisht.

 

Qëndrimi në mes të të ftohtit, pa një hapësirë qoftë edhe për qëndrimin e përkohshëm dhe gdhirja e netëve në kufi risjellin në mendjen e shqiptarëve traumat e emigrimit pas rënies së diktaturës, por në krahun e kundërt. “Tani vetëm të sulemi nga mali si dikur që të kalojmë e të presim që të na qëllojnë. Kjo situatë ja kalon komunizmit”- thotë Astrit Cadari nga Gramshi.

Një pjesë e tyre, pavarësisht premtimeve të kryeministrit për një marrëveshje me Greqinë mbi tejkalimin e afateve thanë se janë gjobitur dhe se nuk u është dhënë garanci se nuk do të gjobitëshin nëse tejkalonin afatin 90 ditor.

Cadari i tha BIRN se ishte gjobitur dhe se për këtë fajësonte kryeministrin që i kishte qetësuar se nuk do kishin probleme. BIRN kërkoi një reagim nga qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Statistikat e personave të bllokuar në kufi megjithatë janë të paqarta, ndërsa gazetarët nuk janë lejuar në zonën neutrale. BIRN mësoi se një pjesë e qytetarëve janë kthyer pas në Greqi, të tjerë janë lejuar të hyjnë në Shqipëri pasi kanë pritur për orë të tëra, ndërsa të shumtë janë ata që kanë kaluar natën në tokën neutrale.

Kevin Rica nga Mirdita ka mbërritur në kufi në orën 16.00 të së premtes, por pasi kanë kaluar më shumë se 24 orë pritje në kufi ideja se mund të qëndrojë edhe një tjetër natë aty e frikëson së tepërmi.  “Kaluam natën me 20 cm borë na u thanë robat në trup ka edhe të moshuar pa ngrënë pa pirë. Unë jetoja në Selanik tani këtu nuk na lenë të kalojmë, presim urdhër na thonë”, tregon ai.

I riu është përpjekur disa herë të kontaktojë me Ambasadën Shqiptare por shprehet se askush nuk përgjigjet në telefon prej 4 ditësh. Qytetarët ankohen se kanë marrë mesazhe kontradiktore nga ambasada në Athinë dhe policia e vendin fqinj.

Pretendimi i qeverisë shqiptare se ishte arritur një marrëveshje përgënjeshtrohet nga policia lokale greke, që thotë se nuk ka asnjë vendim për të zgjatur afatin e qëndrimit përtej 90 ditëve.

Ministria e Punëve të Jashtme ka publikuar më herët marrëveshje dhe informacione sqaruese për një sërë vendesh ku ndodhesh shqiptarë të bllokuar dhe mënyrën se si mund të zgjasnin vizat apo kohën e qëndrimit, por një sqarim i tillë për Greqinë nuk është dhënë.

Ndërkohë nën presion dhe të paqartë shumë qytetarë tentojnë të kthehen, por për ata që duan të hyjnë në Shqipëri nga shteti grek përsëritet prej disa ditësh i njëjta situata, ndërsa mbeten të bllokuar në tokën neutrale dhe nuk lejohet të hyjnë në vend bazuar në aktin normativ të mbylljes së kufirit.

Shumica e atyre që kthehen janë emigrantë në përfundim të afatit 3 mujor që u lejohet në hapësirën Schengen dhe nuk mund të kthehen as në Greqi. Përpjekja për të punënuar në mënyrë sezonale jashtë edhe pse për një kohë të shkurtër po u sjell atyre peripeci të shumta.

Emigrantët tregojnë se ata kanë gjetur si zgjidhje mbijetese emigracionin sezonal dhe pandemia shkaktoi mbylljen e punës duke i lënë ata pa një zgjidhje apo mundësi qëndrimi në shtetin grek, por rikthimi u ka kushtuar edhe më shtrenjtë sepse ndërsa Shqipëria ka mbyllur kufirin pala greke vazhdon të aplikojë gjoba. “U gjobita 1200 euro edhe pse mund ta kisha shmangur po të isha kthyer më herët. Unë fola me ambasaden dhe më thanë që kryeministri ka bërë marëveshje, por kur erdha këtu më rezultoi e kundërta”, i tha BIRN Astrit Cadari.

Ai tha se në krahun tjetër ua kanë bërë të qartë se nuk ka asnjë pengesë për lëvizje. “Autoritetet greke thonë se ne punojmë 24 orë, s’kemi punë me kufirin tuaj. Nëse vonesa do të ishte përgjegjësia jonë atëherë nuk do të penalizoheshit, ne do të veprojmë sipas ligjit. Me pak fjalë ika për bukën e familjes, shpenzova për udhëtimin me taksi duhet të paguaj gjobën dhe tani qëndroj edhe këtu.” – tha ai për BIRN.

Ndalimi i shqiptarëve që të hyjnë në vendlindje bazohet tek akti normativ i qeverisë për mbylljen e kufijve në kuadrin e masave parandaluese për përhapjen e pandemisë COVID – 19. Autoritetet kufitare thanë për BIRN se tashmë lëvizja në kufi është e ndaluar për të gjithë shtetasit me përjashtim të rasteve të autorizura nga konsullatat apo Ministria e Jashtme.

Por ndër të bllokuarit ka pasur edhe raste me probleme shëndetësore. Shkurte Cara së bashku me vajzën e saj të sëmurë u detyruan të qëndrojnë 5 orë në kufi para se për to të bëhej i mundur kalimi. Për 7 vjeçaren nga Burreli udhëtimi në Greqi pak javë më parë kishte qenë i detyrueshëm për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar të së bijës e pavarësisht kësaj ato qëndruan në pritje derisa mbërriti autorizimi i kalimit.

“Më lanë 5 orë në mes të të ftohtit. Kam 18 vite që kujdesem për vajzën e sëmurë dhe shpesh jam detyruar të shkoj në Greqi, por si këtë herë nuk më ka ndodhur. Nuk e dija procedurën dhe përsëri nuk e di. Më ndihmuan këta punonjësit këtu që të merrja lejen se do kishim vdekur këtu. Tani nuk e di ende nëse do gjej makinë që të shkoj në shtëpi se taksia që kisha lajmëruar iku.”- tregoi gruaja.

Akti normativ që urdhëroi mbylljen e kufirit vështirësoi dhe bëri të pamundur lëvizjen e shqiptarëve edhe pse shumë prej tyre detyrohen të kthehen në vend për arsye nga më të ndryshmet. Edhe rastet përjashtimore përsëri hasin në një procedurë të vështirë ndërsa shqiptarët qëndrojnë në kufi të bllokuar pa kushtet minimale.

“Juridikisht çdo akt normativ në kushtet e emergjencës, fatkeqësisë natyrore dhe situata të tjera të jashtëzakonshme orienton veprimtarinë sipas nevojës duke prevaluar mbi ligjin. Mbyllja e kufirit është e pranueshme në situatën që ne jemi dhe po aplikohet në shumë shtete, por ajo që ka mbetur e pazgjidhur është pikërisht kjo gjendje. Vendet e tjera kanë përcaktuar ambiente ku mbajnë të karantinuar çdo person që kalon kufirin, u bëhen analizat dhe pas 14 ditësh lejohen të shkojnë në banesat e tyre. Duhet të ishte parë si mundësi edhe në vendin tonë kjo zgjidhje.”- tha avokati Esmerald Xhafa.

Autoritetet deri tani nuk kanë dhënë zgjidhje. Një pjesë e qytetarëve janë kthyer pas pasi kanë pasur dokumente të rregullta emigrimi, të tjerë janë detyruar të presin në kufi deri sa janë autorizuar për të hyrë, por të tjerë janë në ankth se do të penalizohen për shkelje të afateve./BIRN

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...