Përfitimet që merr nga zotërimi i një pasaporte EU ka shtyrë shumë shqiptarë që të aplikojnë për tu pajisur me një të tillë. Edhe në 2018-n aplikimet kapën një shifër rekord…
Këto ditë izolimi, ku shumë shtete kanë mbyllur kufijtë, na kanë bërë që të vlerësojmë lirinë e lëvizjes. Pajisja me një pasaportë europiane i jep të drejtën atij që e posedon të jetojë dhe të punojnë në secilin prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian
Shqiptarët janë nacionaliteti i dytë që janë pajisur me pasaporta të një prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian në vitin 2018. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat në 2018-n më shumë se 47,400 shqiptarë u pajisën me pasaportë EU, apo duke u përgjigjur për 7% të pasaportave të lëshuara në total nga të gjitha vendet. Në vend të parë u renditën marokenët me 62,700 pasaporta EU apo 10% të totalit.
Edhe për vitin 2018 Greqia dhe Italia janë dy vendet që kanë lëshuar numrin më të lartë të pasaportave për shqiptarët. Të dy këto vende kanë numrin më të lartë të emigrantëve, ku që prej fillimit të viteve ‘90, ku u ndryshua sistemi dhe u hapën kufijtë, shqiptarët kishin si destinacion kryesor këto dy vende.
Megjithatë që prej krizës ekonomike të vitit 2008, ku të dy këto vende ishin shumë të prekura, gjë që u shoqërua me reduktimin e vendeve të punës, shumë emigrantë shqiptarë janë drejtuar në vende të tjera më të zhvilluara të BE-së. Kjo ka qenë një arsye pse emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali dhe Greqi kanë aplikuar për tu pajisur me pasaportë.
Sipas të dhënave të Eurostat, Greqia ka lëshuar rreth 24,200 pasaporta, ndërsa Italia rreth 21,800 vetëm për vitin 2018, duke përbërë kështu 97% të totalit të pasaportave.
Pas Italise dhe Greqisë, në vend të tretë renditet Belgjika për numrin më të lartë të pasaportave të lëshura, më 390 pasaporta në 2018-n, pasuar nga Gjermania me 340, Franca me 294 dhe Suedia me 119.
Prej 2002 më shumë se 430 mijë shqiptarë u pajisën me pasaportë
Që prej vitit 2002 të dhënat nga Eurostat tregojnë se janë pajisur me pasaportë të Bashkimit Europian më shumë se 435,800 shqiptarë janë bërë nënshtetas të Bashkimit Europian. Aplikimet kanë arritur pikun në vitin 2016 me 67.5 mijë aplikime, ndërsa në 2017 aplikimet arritën në 58,866.
Në rajon, askush më shumë se shqiptarët nuk lakmon një pasaportë të EU
Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria ka numrin më të lartë të alikimeve edhe për vitin 2018. Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, numri i pasaportave të dhëna për shqiptarët është disa herë më i lartë se vendet e rajonit. Pas shqiptarëve renditen serbët me 8600 pasaporta, më pas renditen shqiptarët e Kosovës me mbi 7900, boshnjakët me 7200 dhe maqedonasit me gati 6000 pasaporta./MONITOR