Një punonjës i burgut 313 konfirmohet me koronavirus

E Enjte, 16 Prill 2020 16:05

Një punonjës i burgut 313 ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila thotë se më herët, ai i është nënshtruar kontrolleve të zakonshme shëndetësore të ekipit të mjekëve që kontrollon të gjithë punonjësit e burgjeve në kuadër të masave të marra për parandalimin e virusit Covid-19, ku nuk ka shfaqur asnjë shenjë.

Në një njoftim për mediat, Drejtoria e Burgjeve sqaron se "Vetëm pas shenjave që kanë shfaqur familjarët e tij, ai ka kryer një vizitë më të specializuar nga mjekët epidemiolog dhe pas kryerjes së tamponit përkatës në Spitalin Infektiv sipas protokolleve shëndetësore, ka rezultuar pozitiv së bashku me bashkëshorten dhe djalin".

Në mënyrë të menjëhershme, ekipi shëndetësor nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me mjekë epidemiologë ndërmorën menjëhëre masat për të kryer hetimin e duhur epidemiologjik.

"Nga zhvillimi i hetimit epidemiologjik punonjësi nuk ka pasur kontakte të afërta me persona të tjerë si dhe gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij ditor ka qenë i pajisur me maska, doreza si dhe ka ruajtur distancimin social duke respektuar të gjitha udhëzimet e DPB në kuadër të masave të ndërmarra kohë më parë për të parandaluar përhapjen e Covid-19 dhe ndërprerjen në kohë të çdo rreziku që mund të vijë", thuhet në njoftim.

Po ashtu Drejtoria e Burgjeve thotë se punonjësi nuk ka pasur asnjë funksion të lidhur drejtpërdrejt me regjimin e brendshëm të burgjeve, duke mos pasur asnjë rrezik për të burgosurit.

Disa punonjës të këtij institucioni i janë nënshtruar karantinimit dhe pasi kanë kryer analizat përkatëse kanë rezultuar të gjithë me përgjigje negativ dhe do t’i rikthehen punës shumë shpejt.

Login to post comments