Duhen sy të stërvitur për të dalluar sot nëse është kryer apo jo vaksina e tuberkulozit, e njohur si BCG.
Kjo, sepse shenja që le te të porsalindurit është e gati-gati e padukshme. Por s’mund të thuhet e njëjta gjë për ata që kanë ndjekur shkollat midis viteve 1967 deri në 1994, të cilët mund të konstatojnë lehtësisht një shenjë në pjesën e sipërme të krahut të majtë. Kjo, siç sqaron doktoreshë Miriam Xibinaku, është prej faktit që këto grupmosha kanë kryer më shumë se një dozë vaksine BCG. Në një interviste dhënë për gazetën, doktoreshë Xibinaku, mjeke mikrobiologe dhe ish-shefe e prodhimit dhe liofilizimit të vaksinës BCG nga viti 1976 deri në vitin 1993, bën me dije fillesat e kësaj vaksine në vendin tonë, arsyet pse riaplikohej në grupmoshat shkollore dhe çfarë është më e rëndësishme rolin që luan ndaj COVID-19.
Doktoreshë, së pari kur ka nisur të aplikohet vaksina kundër tuberkulozit, e njohur si BCG në vendin tonë? Pra, cili është brezi i parë që është vaksinuar?
Vaksina BCG apo Bacillus Calmette-Guerin mban emrin e dy shkencëtarëve francezë, të cilët e prodhuan për herë të parë më 1920 dhe e aplikuan po për herë të parë në 1921 te një bebe e lindur nga një nënë që vdiq nga TBC dhe do rritej nga një gjyshe po e sëmurë nga TBC (tuberkulozi). Prodhimi i vaksinës BCG në vendin tonë në Institutin Kërkimor të Higjienës, Epidemiologjisë dhe prodhimeve imunobiologjike (IKHEPI), sot Instituti i Shëndetit Publik ISHP, ka filluar në 1967-1968.
Ndërmjet viteve 1968- 1975 ka pasur nga ata, të cilët kanë marrë 4 deri në 5 doza. Pse është bërë kjo? Dhe së dyti, kur përsëritej apo riaplikohej kjo vaksinë?
Vaksina BCG, në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit të asokohe në Shqipëri, aplikohej në këto grupmosha: Në 24-48 orët e para të lindjes si dhe në klasat e I, IV, VII, XI/XII. Në këto grupmosha shkollore aplikohej me provë tuberkulinike apo siç njihej prova e Mantoux (Mantu). Kjo provë kishte dy funksione: Provë për të matur efikasitetin e vaksinës BCG – Test diagnostik për të verifikuar të sëmurët me TBC. Nëse prova e Mantoux rezultonte negative në grupmoshat e mësipërme, fëmijët përkatës vaksinoheshin apo rivaksinoheshin me vaksinë të BCG. Vaksinimi me BCG në këto pesë grupmosha ka vazhduar nga vitet 1967/1968 deri më 1993/1994. Nga vitet 1993/ 1994 deri më 2000 është bërë në lindje dhe në klasë të parë dhe nga viti 2000 deri më sot realizohet vetëm në lindje, pra, vetëm me një dozë. Vaksinimi nëpër shkolla kryhej nga dispanseritë, gjithmonë me provë Mantoux paraprakisht; vaksina aplikohej në rrugë intradermale në pjesën e sipërme të krahut të majtë.
Si mund ta kuptojë sot dikush nëse e ka kryer apo jo, ka shenja të dukshme?
Në fëmijët e porsalindur, kjo vaksinë lë një pikë të vogël të bardhë apo “depigmentim”, që vetëm një sy i stërvitur mund ta dallojë. Në moshat shkollore le një shenjë apo cikatrice apo “scar” tepër të dallueshme, që mbetet gjithë jetën. Laboratori i prodhimit të vaksinës BCG në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) ka pasur një zonë studimi në shkollat e ish-Kombinatit Tekstil në Tiranë, ku aplikohej vaksina dhe ndiqeshin reaksionet pasvaksinore dhe efikasiteti i saj në grupmoshat e vaksinuara, në bashkëpunim me dispanserinë e zonës. Nga viti 1973-1992/1993 që unë kam ndjekur këtë zonë, pra, katër grupmosha, më rezulton që fëmijë me 2 cikatrice kishte shumë, rrallë me tre, por kurrë me katër cikatrice. Arsyeja ishte se vaksina që ne përdornim nga viti 1967 deri me 1987, prodhohej me shtamin çek, i cili kishte pozitivitet të ulët ndaj tuberkulinës që përdorej si kriter për rivaksinim. Nga fundi i vitit 1987 filloi prodhimi i vaksinës BCG me shtamin francez, i cili jepte pozitivitet me të lartë ndaj reaksionit Mantoux, çka bëri të shtohej numri i nxënësve pozitivë ndaj Mantoux, dhe, si rezultat të vaksinoheshin dhe rivaksinoheshin më pak nxënës apo fëmijë nga 7 deri në 17 vjeç më shumë se dy herë. Fëmijët që kanë ndjekur shkollat midis viteve 1967/ 68-1993/1994, mund të konstatojnë se në pjesën e sipërme të krahut të majtë kanë një shenjë apo cikatrice mjaft të dallueshme.
Doktoreshë, së fundmi ka hipoteza që kjo vaksinë krijon mbrojtje ndaj COVID-19. A ka ndonjë të vërtetë këtu, cili është gjykimi juaj?
Lidhja e vaksinës së BCG me situatën aktuale të pandemisë me COVID-19, se kush ka bërë këtë vaksinë, nuk sëmuret apo kalon lehtë sëmundjen, ka hapur shumë diskutime. Që nga vitet 1970-1980 janë bërë studime që ka një lidhje që kush është vaksinuar me BCG rrezikon më pak të sëmuret nga disa lloj sëmundjesh malinje të gjakut apo dhe më gjerë. Dr. Sol Roy Rosenthal, prodhues dhe studiues i vaksinës BCG në SHBA, deklaronte në vitet ’80 se ai vaksinohej familjarisht me vaksinë BCG dhe pati konstatuar që nuk sëmureshin nga gripi. Në lidhje me këtë konstatim se të vaksinuarit me BCG kanë imunitet më të fortë ka dhe studime në Suedi, Danimarkë, Gjermani.
Si e krijon mbrojtjen kjo vaksinë dhe a qëndron teza që ata që kanë marrë më shumë se 2 doza, janë më imunë?
Kur organizmi ynë përballet me një agjent patogjen, përgjigjja e parë imunitare apo e “shpejtë” është rritja e prodhimit të leukociteve, të cilat sulmojnë dhe shkatërrojnë 99% të agjentit infektiv. Mbas pak, në momentin e dytë, ndërhyn imuniteti i fituar (nga vaksinat apo sëmundjet e kaluara), i cili hedh në qarkullim apo rekruton limfocitet T dhe B, të cilat quhen dhe “qelizat vrasëse” apo “killer cells”, që prodhojnë antikorpet specifike. Vaksina e BCG, duke qenë një vaksinë e gjallë e dobësuar, që ka lidhje me imunitetin qelizor në rastin e hyrjes së virusit aktivizon imunitetin dhe stimulon sistemin imunitar të organizmit apo e fuqizon atë edhe pse në mënyrë jospecifike, duke e bërë atë më efikas. Ky lloj imuniteti ka spektër të gjerë veprimi në formën e rikujtesës, duke ndihmuar organizmin për të rregulluar sa më mirë përgjigjen imunitare. COVID-19 shkakton një inflamacion, i cili përfundon në shkatërrimin e zinxhirit të shumë hallkave jetësore dhe mendohet se vaksina e BCG, me anë të kësaj rikujtese të shpejtë të imunitetit, bën që të evitohet ky reaksion zinxhir negativ dhe si rezultat të evitohen situata të rënda të sëmundjes. Nga të dhënat epidemiologjike në këtë pandemi rezulton se fëmijët dhe të rinjtë preken pak ose aspak nga COVID-19. Mendohet se vaksinimi me BCG ka bërë një rikujtesë të fuqizimit të sistemit imunitar, duke e bërë atë më efikas. Kjo rikujtesë, me kalimin e viteve, dobësohet derisa shuhet fare, dhe, për këtë qëllim, për fuqizimin e saj në disa shtete (Holandë, Australi, Greqi, etj.,) po bëhen studime për aplikimin e kësaj vaksine BCG në disa grupmosha, në punonjësit e sistemit shëndetësor dhe në moshat e treta. Sa më e freskët të jetë bërja e vaksinës BCG, aq më i fuqishëm do të jetë reagimi i sistemit imunitar. Mendoj se ata që kanë bërë disa herë BCG, mund të jenë më imunë.
JA SI ESHTE KRYER VAKSINA E TUBERKULOZIT NE VENDIN TONE
Në vitet 1967-1968, vaksina BCG aplikohej në këto grupmosha:
Në 24-48 orët e para të lindjes
Në klasat I, IV, VII, XI/XII
Në këto grupmosha shkollore aplikohej me provë
tuberkulinike apo siç njihej prova e Mantoux (Mantu).
Nëse prova e Mantoux rezultonte negative në grupmoshat e mësipërme, fëmijët përkatës vaksinoheshin apo
rivaksinoheshin me vaksinë të BCG.
Vaksinimi me BCG në këto pesë grupmosha ka vazhduar nga vitet 1967/1968 deri më 1993/1994.
Nga vitet 1993/1994 deri më 2000 është bërë në lindje dhe në klasë të parë
Nga viti 2000 deri më sot realizohet vetëm në lindje, pra, vetëm me një dozë