Mjeku urolog, Artan Koni ka deklaruar në një lidhje me skype me Fax News se deri në orën 15:30 në kryeqytet gjendja dhe lëvizjet nëpër qytet janë si në ditët e zakonshme, ndërsa e konsideron të palogjikshme që pas kësaj ore nuk ka lëvizje duke argumentuar se virusi nuk qëndron me orare aktiv.
Duke folur për debatin që është hapur se koronavirusi mund të ketë hyrë në Shqipëri që në Dhjetor apo në Janar, ai tha se ky është vetëm një qëndrim ekspertësh por jo i bazuar në fakte.
Në këtë kontekst sipas tij, duhet të ketë një rikthim tek mostrat e pacientëve të dyshuar që kanë kaluar simptoma të ngjashme të pandemisë dhe t’ju bëhet tampon, rruga e vetme për të dalë në konkluzione konkrete ndërsa mjeku i referohet shembullit të Italisë dhe Francës.
”E dimë të gjithë tashmë se nuk kemi një kurbë normale por me zig-zage. Ka arsye të shumta por veçoj testimet e pakta, por edhe analizat ku bëhen vetëm në shtet dhe nuk mund të bëhen në privat. Duke mos pasur një kurbë normale ne nuk dimë kur e kemi arritur pikun, e kemi arritur dhe kur e arrijmë nëse jo, ndërsa kjo ka krijuar edhe konfuzion në masat e marra.
Besoj se nga ‘guri’ që është hedhur nga disa njerëz që kanë aluduar se ka hyrë koronavirusi më parë nga sa është zbuluar, zbërthehet përmes rikthimit tek mostrat dhe t’ju bëhet tampon nëse kanë pasur virus apo jo.
Skanerat pastaj mbeten gojëdhëna dhe mendim eksperti jo fakt shkencor. Siç po ndodh në Francë apo në Itali po ju rikthehen mostrave të mëparshme dhe po ju bëjnë tampone për të zbuluar nëse kanë qenë të infektuar apo jo”, tha Koni.