DW:Ekonomia shqiptare pret rënien më të madhe ekonomike në rajon

Saturday, 16 May 2020 11:03

Deutsche Welle

Sipërmarrja private në Shqipëri po bëhet gati të rifillojë aktivitetin e saj ekonomik dhe tregtar, e goditur rëndë nga bllokimi dymujor prej pandemisë corona. Pandemia është nën kontroll sipas autoriteteve shëndetësore, por numri i rasteve të reja luhatet duke arritur edhe shifra të larta. Autoritetet e shëndetësisë thanë të premten( 15.05) se janë shfaqur 18 raste të reja në 24 orët e fundit. Gjithsesi, optimizmin e ushqen numri i pandryshuar i viktimave që prej dy javësh, ai mbetur 31.

Ka një situatë lehtësimi relativ që tronditet nga paralajmërimet publike për mundësinë e një vale të dytë vërshimi të infektimit me virusin corona dhe kërkesa për të respektuar rregullat e distancimit social dhe vendosjes së maskave gjatë daljes nga banesat në rrugë dhe hyrjes në supermarket, farmaci dhe banka.

Prof. Pëllumb Pipero, mjeku i njohur infeksionist, tha për DW se vala e dytë mund të ndodhë pas disa muajsh. "Vala e dytë e epidemisë nuk përjashtohet. Ajo mund të ndodhë në fund të vjeshtës ose në fillim të këtij dimri. COVID-19 është një nga virusët respiratorë, që në përgjithësi kanë sezonalitet,” thotë për DW, Dr. Pipero.

Në këto kushte e vetmja rrugë për të mos u kthyer përsëri tek mbyllja e sektorit privat është rimodelimi i bizneseve, ngritja e kapaciteteve të tyre për të mos ndërprerë punën dhe njëherazi shmangur infektimin me virusin corona në muajt e verës dhe gjatë valës së dytë potenciale.

150 milion euro për rimodelim anti-COVID-19

Me këtë synim qeveria Rama mori të enjten vendimin për t'u dhënë bizneseve Garancinë e dytë Sovrane prej 150 milionë dollarësh. Garancia e parë Sovrane, prej 100 milionë dollarësh, iu dha para dy muajve bizneseve të mëdha që të paguanin pagat e punonjësve të tyre, mos shkurtonin vendet e punës përmes marrjes së kredive në banka me normë interesi 2, 85% me shtetin garant për kolateralin.

Garancia Sovrane e tanishme ka hapësira dhe kushte të tjera. Prej tij përfitojnë të gjitha llojet e bizneseve që nga më i vogli deri tek më i madhi, që kërkojnë të rimodelohen për t'u përballur pa u mbyllur me një valë të re potenciale të virusit corona. Ministrja e Financave, Anila Denaj, e cilësoi Garancinë e dytë Sovrane si "oksigjen në kohë pandemie”. "Ky instrument është në dispozicion për gjithë sipërmarjen private, në të gjitha sektorët e ekonomisë. Ai synon të jetë burim për kreditimin e kompanive për kapital qarkullues dhe investime për kapërcimin e efekteve të pandemisë corona. Shteti kontribuon me 60% të interesit banker të kredive, kurse 40% vetë bizneset”, tha ministrja Denaj, në një prononcim për mediat.

Bizneset mund të aplikojnë që nga e hëna, (18.05) për të marrë kredi në bazë të Garancisë Sovrane prej 150 milionë dollarësh. Bizneset në sektorin e turizmit, i prekuri më rëndë nga epidemia COVID-19 pritet të përfitojnë nga ky instrument financiar për të investuar në rimodelimin e infrastrukturës turistike me kërkesat e distancimit social dhe rikuperuar sa të jetë e mundur më shumë, humbjet e mëdha.

Turizmi i shkakton Shqipërisë rënien ekonomike më të thellë në rajon

Bllokimi, kufizimi i lëvizjes së njerëzve ka vënë në pikëpyetje ekzistencën e shumë bizneseve në sektorin e turizmit me një efekt domino në ekonominë e Shqipërisë. Në një raport të publikuar këto ditë, nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ( BERZH) parashikohet që Shqipëria do të ketë këtë vit një rritje të dobët ekonomike, e cila pritet të zbresë në minus 9 % të Prodhimit të Brendshëm Brutto,( GDP) , me një rënie që konsiderohet më e madhja në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ky parashikim mbështetet tek varësia e lartë e ekonomisë së Shqipërisë nga sektori i turizmit. Guvernatori i Bankës së Shqipëriosë , Gent Sejko, e quan rënien ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti, ”në përmasa që nuk janë shfaqur gjatë dy dekadave të fundit”.

Rënia ekonomike do të sjellë shkurtim të vendeve të punës, rënie të të ardhurave, vështirësi financiare për bizneset dhe familjet në Shqipëri. Eksperti i Ekonomisë, Prof. Selami Xhepa, mendon se në raport me pasojat e rënda në ekonomi mbështetja e deritanishme financiare e qeverisë ndaj bizneseve është e pamjaftueshme. "Programi i lehtësive për sipërmarrjen private duhet të jetë i fuqishëm, me kredi pa interesa për dy vjet, që sipërmarrja private të ristartojë aktivitetin dhe të ecë drejt normalizimit”, theksoi Prof. Selami Xhepa për DW.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...