Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti ka shpërndarë së fundi një deklaratë të OBSH-së, në të cilën është zbuluar se mundësia e përhapjes së Covid 19 nga persona mbartës pa simptoma është shumë e rrallë.
Sipas Alimehmetit, kjo gjë nuk ishte thënë derimë tani dhe është një nga zbulimet më pozitive, që do të ndryshojë dhe orientimet për qeveritë e të gjitha vendeve.
Alimehmeti shprehet se fokusimi i tyre duhet të jetë tashmë te personat e infektuar dhe me simptoma, si dhe kujdesi më i madh duhet fokusuar te personat e sëmurë.
“Super super lajm i mirë miqtë e mi! Përhapja e COVID-19 nga personat pa simptoma është SHUME E RRALLE. Ky është deklarimi i djeshëm i OBSH-së, e cila më në fund po vendos të bazohet mbi evidenca. Pikat kyçe të rekomandimit të djeshëm: Qeveritë duhet të fokusohen në zbulimin dhe izolimin e personave të infektuar me simptoma. Megjithëse është mundësi “shumë e rrallë”, kujdesin le të vazhdojmë ta mbajmë.
Cit. Van Kerkhove: “Kemi një sërë raportesh nga shtete qe po kryejnë gjurmim shumë të detajuar të kontakteve. Ata po ndjekin rastet asimptomatike. Ata po ndjekin kontaktet e tyre. Ata nuk po gjejnë transmetim sekondar të virusit prej tyre. Eshtë shumë e rrallë!”
Megjithatë, evidencat mjekesore janë në evolucion të vazhdueshëm dhe situata është dinamike siç e tregojnë edhe qëndrimet e OBSH-së. Forca miq! Kujdes të madh nga personat e sëmurë! Por njëfare kujdesi mbajeni edhe me të tjerët!”, shkruan Alimehmeti.