2 milionë euro në vit vetëm për pagesën e koncesionarit.Rama-Veliaj i rrisin taksat bizneseve te Tiranes.

Tuesday, 16 June 2020 09:27

 

Bizneseve u ka shkuar në javët e para të qershorit fatura që duhet të paguajnë për taksat lokale të këtij viti. Faturat kanë qenë të rritura për shkak të shtrenjtimit të tarifave të pastrimit pas një vendimi të Këshillit Bashkiak të Tiranës, “Për miratimin e sistemit të taksave dhe tarifave vendore në Bashkinë e Tiranës”, që u mor në fund të 2019-s, për të cilin shumë biznese nuk kanë qenë në dijeni.

Këto fatura të shtrenjtuara, i kanë gjetur bizneset të papërgatitura, edhe për vetë faktin që po vuajnë pasojat e ngadalësimit të aktivitetit ekonomik pas kufizimeve nga Covid-19

Një subjekti të madh, detyrimi për taksat dhe tarifat vendore i ka shkuar 75,400 lekë për vitin 2020, nga 67 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 11%. Tarifa e përkohshme për infrastrukturën arsimore është 17 mijë lekë, e njëjtë me vitin e kaluar, ndërsa tarifa e pastrimit nga 50 mijë lekë është 57,500 lekë, me një rritje prej 15%.

“Cili zë i kostos është rritur që po i faturohet klientit apo çfarë shërbimi extra po ofrohet? Dhe a është proporcionale pagesa me impaktin sipas veprimtarisë? Unë kam një zyre 100m2 dhe taksa lokale 74,500 lekë me vit më duket afër kulmit të absurdit”, thotë Edona Bilali, administratore e AZ Consulting, një kompani konsulence në kryeqytet.
“Si vit Covid-i e tërmeti, i vetmi lehtësim ishte shtyrja nga e afatit nga 20 prill më 30 qershor”, shton ajo.

Rritja e tarifave të pastrimit, efekti nga inceneratori

Vendimi nr 158 i Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, i marrë në datën 26.12.2019 rriti me 15-64% tarifat e pastrimit për subjektet që veprojnë në kryeqytet.

Për disa kategori biznesi, tarifa vjetore e pastrimit është 85,100 lekë, nga 74 mijë lekë që ishte në vitet e mëparshme, me një rritje prej 15%, për disa kategori të tjera (biznesi i vogël me xhiro nga 2-8 mln lekë) rritja është nga 10 mijë në 11,500 lekë, po me shtrenjtim 15%.

Rritja është më e lartë në përqindje për bizneset e vogla, me xhiro nga 0-2 mln lekë në vit. Për këtë kategori, tarifa është rritur me rreth 64%, nga 3,500 lekë në 5,750 lekë. Vetëm për disa kategori si shërbimet e fotokopjimit, sallonet e bukurisë, agjencitë valutore, transport etj, tarifa e pastrimit është 4 mijë lekë.

Në relacionin e Programit Buxhetor Afatmesëm, 2020-2022 të Bashkisë Tiranë argumentohet nevoja për rritjen e tarifave, me rritjen e kostos së shërbimit të lidhur edhe me zbatimin e kontratës koncesionare të inceneratorit. “Në bazë të analizës së kostos së shërbimit të pastrimit dhe përpunimit te mbetjeve është evidentuar një diferencë e theksuar mes kostos së shërbimit dhe të ardhurave të arkëtuara për mbulimin e tij. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht për shkak të hyrjes në fuqi të kontratës së inceneratorit në vitin 2018, në bazë të PPP të realizuar nga Qeveria Shqiptare dhe që po zbatohet nga Bashkitë e qarkut të Tiranës. Gjithashtu një rritje e konsiderueshme vërehet edhe në koston operative vjetore të Bashkisë Tiranë për menaxhimin e këtij shërbimi. Për sa më sipër është vlerësuar e nevojshme rishikimi i nivelit të tarifës për të gjitha kategoritë, në mënyrë që të lehtësohet mbulimi i kostove të cilat janë në rritje çdo vit, pa arritur mbulimin total të saj, dhe në mënyrë të tillë që të mos ketë një rritje të theksuar në barrën fiskale të kategorive duke synuar një shpërndarje të drejtë të kësaj barre në përputhje me impaktin që secila prej këtyre kategorive mbart”, thuhet në relacionin e bashkisë.

Për vitin 2020, bashkia Tiranë pret që të mbledhë gati 2.2 miliardë lekë nga tarifa e pastrimit, me një rritje prej 17% në krahasim me një vit më parë, e argumentuar në relacion kryesisht me rritjen e tarifave, ndonëse ky parashikim është bërë përpara krizës së Covid-19.

Kontrata e inceneratorit

Në fund të vitit 2016, kompania “Integrated Energy B.V.” sh.p.k. fitoi koncesionin e ndërtimit të Landfillit, Inceneratorit dhe rehabilitimi i vend-depozitimeve ekzistuese Tiranë. Projekti koncesionar/PPP i paraqitur ka parashikuar kryerjen e pagesave për ofrimin e shërbimit në shumën 7.4 milionë euro në vit pa TVSH, nëpërmjet garantimit të një minimumi ditor prej 700 tonë/mbetje në ditë me tarifë prej 29.05 euro/ton, që për të gjithë kohëzgjatjen e koncesionit parashikohen në shumën 222.7 milionë euro pa TVSH (272 mln euro me TVSH) për 30 vjet.

Këto pagesa, sipas studimit të fizibilitetit dhe kërkesës së Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë (MFE) për parashikimin në tavanet buxhetore, janë të detajuara në shumën 130.9 milionë euro mbështetje nga qeveria shqiptare dhe 91.8 milionë euro pa TVSH nga buxheti i bashkive në përbërje të Qarkut të Tiranës, për të gjithë kohëzgjatjen 30-vjeçare, sipas raporit. Në kontratë parashikohet minimum i garantimit ditor si dhe neni që çmimi indeksohet me inflacion të cilave u është bashkangjitur propozimi financiar.

Në lidhje me sasinë minimale të garantuar, në studimin e fizibilitetit është përcaktuar kompensimi prej 700 tonë mbetje/ditë minimalisht. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport të posaçëm për këtë koncesion konstaton se në këtë mënyrë, i gjithë risku i kërkesës është transferuar në sektorin publik, duke garantuar kthimin e investimit, edhe nëse nuk realizohet sasia minimale ditore e garantuar. KLSH thekson se rasti i tejkalimit të kësaj sasie e vendos në risk thelbësor Buxhetin e Shtetit në lidhje me pagesat e nevojshme përtej nevojës së planifikuar, si dhe rrit fitimet koncesionarit në mënyrë të pakufizuar.

KLSH ka llogaritur se vetëm nga indeksimi i inflacionit dhe mosllogartitjes së saktë të volumit të plehrave që përpunohen në ditë, shteti rrezikon të paguajë edhe 104 milionë euro shtesë, nga të cilat gati 78 milionë euro janë indeksim i inflacionit, që e merr përsipër shteti dhe pjesa tjetër, si rrjedhojë e llogaritjes së ulët të kufirit minimal të sasisë së mbetjeve ditore të garantuara.

Koncesionit i shtohen dhe plehrat e Durrësit, a do rriten tarifat e bizneseve?

Pra pak ditësh qyteti i Durrësit u gdhi i mbuluar nga plehërat, teksa pas mbylljes së depozitimit të Porto Romanos, Bashkia Durrës nuk ka fonde për të dërguar mbetjet në Sharrë dhe për të paguar depozitimin e tyre. Bashkia e Durrësit tha zyrtarisht se i ka kërkuar Ministrisë së Financave një fond të posaçëm që do të bëjë të mundur depozitimin e mbetjeve në vend-depozitimin më të afërt me Durrësin. Ministria e Financave tha për Monitor se fondi është gati, por ato presin nga bashkia një plan biznesi të detajuar.

Burime jo zyrtare thanë se ndërsa depozitimi në Porto Romano kishte një kosto minimale, vetëm për naftën, tashmë Bashkisë Durrës do t’i duhet 3-4 milionë euro në vit për të dërguar plehrat në inceneratorin e Sharrës dhe për të paguar tarifën e depozitimit.

Bashkia Durrës, sipas burimeve të saj, gjeneron çdo ditë rreth 200 tonë mbetje, ose rreth 70 mijë ton në vit. Sipas kontratës, që qeveria ka me koncesionarin e plehrave në Sharrë, kosto e depozitimit të mbetjeve është 29.05 euro/ton për të gjithë kohëzgjatjen e koncesionit. Pra çdo vit, Bashkisë Durrës do t’i duhen të paktën 2 milionë euro në vit vetëm për pagesën e koncesionarit, ose të paktën 60 milionë euro për 30 vjet.

Ashtu si në rastin e bizneseve të Tiranës, Bashkia e Durrësit mund të jetë e detyruar që të rrisë tarifat për subjektet e saj, në mënyrë që të përballojë këtë kosto të shtuar./MONITOR

Modifikuar më Tuesday, 16 June 2020 09:40
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...