Policia ka shpërndarë dje me forcë dy protesta të ndryshme që zhvilluan dje në Tiranë dhe sot njoftoi se 17 prej organizatorëve të tyre i ka proceduar për tre akuza.
Njera protestë u zhvillua nga punonjësit e Transportit, që kërkonin t’u plotësoheshin kushtet nga qeveria për të rifilluar punën dhe t’u jepej e ashtuquajtura “pagë e luftës”, ndërsa protesta tjetër u mbaj përpara Kryeministrisë nga mbrojtësit e natyrës, që nuk duan të shkatërrohen lumenjtë duke ngritur mbi to hidrocentrale lokale.
Sot, Policia e Tiranës njoftoi se i shpërndau të dy tubimet, pasi i konsideronte të paligjshme: si atë në rrugën "Abdi Toptani” dhe atë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe procedoi 17 persona të identifikuar si organizatorë për tre vepra penale:
“Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”;
"Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik";
"Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit".
Gjatë zhvillimit të tubimeve, në të dy rastet, Policia tha se "para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimet, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tyre.
Gjithashtu, gjatë thirrjeve Policia u ka kërkuar protestuesve që të mbajnë distancë sociale nga punonjësit e Policisë dhe nga njëri-tjetri, me qëllim parandalimin e infektimit me COVID-19.
Më pas, Policia pohon se i shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 4 persona, si organizatorë të tubimit tek Ministria e Infrastrukturës dhe për 13 të tjerë, si organizatorë të tubimit tek bulevardi "Dëshmorët e Kombit", pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente.
Materialet për këto ngjarje do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 17 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".
Policia e Tiranës e përfundoi njoftimin duke bërë apel për qytetarët "që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa problematikën apo shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente."