Kthimi i ish-katedrales në xhami/Pompeo thirrje Turqisë që Shën Sofia të mbetet muze

E Enjte, 02 July 2020 08:51

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i bëri thirrje Turqisë të lejojë ish-katedralen bizantine të Shën Sofisë të mbetet muze.

Komentet bëhen një ditë para një vendimi gjyqësor që mund t’i hapë rrugën kthimit të ish-katedrales në xhami.
Shën Sofia, objekt i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, e cila ka qenë në zemër si të Bizantit të krishterë ashtu edhe të perandorisë Osmane myslimane, është një nga monumentet më të vizituara të Turqisë.

Shën Sofia mbaroi së ndërtuari në vitin 537 me teknika futuriste për Kostandinopojën e atëhershme.

Ajo ishte katedralja kryesore e Krishtërimit, më e madhja në botë për 900 vjet me radhë dhe u bë xhami osmane në vitin 1453.

Shën Sofia, e quajtur Ayasofya në turqisht, u shndërrua në muze në vitin 1934 nën themeluesin laik të republikës moderne turke, Kemal Ataturk, por çështja që aktualisht ndodhet para gjykatës e sfidon ligjshmërinë e atij vendimi.

Presidenti Tayip Erdogan, një mysliman i devotshëm, ka propozuar kthimin e Shën Sofisë përsëri në xhami.

Në një deklaratë, Sekretari Pompeo vlerësoi qeverinë turke për mirëmbajtjen e ndërtesës “në një mënyrë të jashtëzakonshme” si muze, por tha se një ndryshim i statusit të saj do të zvogëlonte vlerat e trashëgimisë së saj.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Turqisë të vazhdojë ta ruajë Shën Sofinë si muze, si një shembull i angazhimit të saj për respektimin e traditave të besimit dhe historinë e larmishme që ka kontribuar në Republikën e Turqisë dhe për të garantuar se ajo do të mbetet e aksesueshme për të gjithë,” tha zoti Pompeo.

Nënkryetari i Partisë AK të zotit Erdogan, Numan Kurtulmus, u përgjigj menjëherë se kjo është një çështje e sovranitetit kombëtar.

“Autoriteti i vetëm vendimmarrës për statusin e Shën Sofisë i përket Turqisë. Ne nuk kemi nevojë për këshillat ose rekomandimet e askujt për punët tona,” tha ai.

Login to post comments