Nga Erion Dasho
Përpjekja shqiptare për të parandaluar dhe kontrolluar epideminë nga COVID pati dy periudha qartësisht të dallueshme - FAZA E KARANTINËS, nga e cila u arrit të dilej me një epidemi deri diku të kontrolluar dhe FAZA PAS-KARANTINË
Personalisht i kam vlerësuar si të drejta masat e karantinës në muajin mars, por nga nga muaji prill e në vijim kam evidentuar shumë gabime dhe kam kërkuar që masat e karantinës të zëvendësoheshin me masa inteligjente. Ndër gabimet e dukshme të fazës së karantinës mund të përmenden:
1. Tejzgjatja në kohë dhe ekzagjerimi në rreptësi.
2. Protagonizmi politik, i cili zëvendësoi rolin e ekspertëve.
3. Transmetimi i mesazheve të tipit luftarak, me natyrë frikësuese që arritën deri në kufijtë e agresionit psikologjik ndaj qytetarit.
4. Masa kaotike që rregullonin lëvizjen e qytetarëve, të komunikuara në momentin e fundit dhe të orientuara nga një logjikë e çuditshme.
Përtej gabimeve të sipërpërmendura dhe dëmeve të njohura të karantinës në shëndet, jetë sociale dhe ekonomi, masat e karantinës arritën ta mbajnë epideminë nën kontroll. Në mes të majit, numri i rasteve arriti në 1 dhe 2 rasteve në ditë, duke i dhënë përgjigjes shqiptare ngjyrat e një përgjigje të suksesshme. Por, me heqjen e karantinës, u kuptua se dështimi më i madh i periudhës mars-maj nuk ishin gabimet e dukshme që u përmendën më lart, por diçka shumë më e rrezikshme:
MOS SHFRYTËZIMI I KËSAJ PERIUDHE NË FUNKSION TË HARTIMIT DHE ZBATIMIT TË NJË PËRGJIGJEJE STRATEGJIKE DHE SHUMËPLANËSHE KUNDËR COVID-19.
Në raport me COVID sot ka dy lloj vendesh. Vendet e suksesshme ku bëjnë pjesë Europa Perëndimore dhe Azia Juglindore hartuan dhe zbatuan përgjigje strategjike kundër COVID. Këto vende e kthyen situatën në normalitet brenda pak javësh dhe sot kanë numër të ulët rastesh dhe vdekjesh. Vendet e dështuara, të cilët nuk zbatuan përafrime strategjike sot shohin rritje të rasteve dhe vdekshmërisë.
FATKEQËSISHT, KËTU HYN EDHE SHQIPËRIA.
1. Spitalet shqiptare dhe institucionet shëndetësore, në vend që të trajtojnë të sëmurët, janë një vend ku përhapet COVID. Në rrugë informale, mësohet për shërbime spitalore dhe të shëndetit publik, të cilat janë pezulluar si pasojë e infektimit të stafit.
2. Administrata është e pasigurt. Nuk është e qartë se deri në ç’masë zbatohet rregulli për të punuar nga shtëpia. Shpesh shihen grupe njerëzish që mbajnë radhën para institucioneve, të papajisur me maska dhe pa respektuar normat e distancimit fizik.
3. Bizneset fason dhe call center u bënë vatra të përhapjes së epidemisë. Në kohën kur numri i rasteve ditore po i afrohet 100-ës nuk raportohet se cilat janë vatrat e transmetimit të sëmundjes dhe nuk kuptohet qartë roli i tyre në epidemi.
4. Qytetarët janë të painformuar mbi mënyrën e sjelljes në rast se një pjestar i familjes dyshohet ose konfirmohet si i prekur nga COVID, megjithëse dihet se transmetimi në familje është një nga rrugët kryesore të përhapjes së COVID.
5. Nuk kontrollohet dhe monitorohet zbatimi i dy masave të thjeshta, por efikase - mbajtja e maskës në mjedise publike të mbyllura dhe respektimi i distancimit fizik.
SOT, E KEMI KALUAR PERIUDHËN E SUKSESEVE IMAGJINARE KU U KRAHASUAM ME GJERMANINË DHE ITALINË DHE KONKLUDUAM SE E KISHIM KONTROLLUAR COVID SHUMË MË MIRË SE ATO.
SOT, PËRGJIGJES SONË NDAJ COVID ENDE I MUNGON STRATEGJIA, TESTIMI DHE GJURMIMI EPIDEMIOLOGJIK INTELIGJENT.
SOT, SHQIPËRIA KA SPITALE, ADMINISTRATË DHE BIZNESE TË PASIGURTA.
SOT, POPULLATA KA HUMBUR BESIMIN DHE NUK BINDET TË ZBATOJË MASAT PARANDALUESE.
SOT, SHOHIM NJË SITUATË EPIDEMIOLOGJIKE TË KARAKTERIZUAR NGA RRITJA E RASTEVE DHE VDEKJEVE DITORE.
SOT, FAZA E DYTË E PËRGJIGJES NDAJ COVID E GJEN SHQIPËRINË “TË KTHYER NË IDENTITET”