Qendra Kombëtare Urgjencës Mjekësore iu drejtua me një apel të fortë popullatës sot, në të cilin thotë:
"Më shumë se 15 mijë thirrje kanë mbërritur drejt numrit 127 në javën e dytë të muajit korrik, duke regjistruar një tendencë në rritje, kjo edhe për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19
Po ashtu nisur nga situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 është rritur edhe numri i misioneve, ku stafi i terrenit të Urgjencës Kombëtare ka dhënë ndihmën mjekësore për të gjithë qytetarët që kanë pasur nevoja mjekësore.
Fatkeqësisht është trefishuar numri i referimit për tampon te epidemiologët, çka nënkupton se është një tendencë në rritje edhe e numrit të të infektuarve.
Bazuar në Rekomandimet e OBSH-së, QKUM këshillon qytetarët për shtimin e masave të higjienës dhe ndjekjen e rregullave të mëposhtme:
Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami / letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).
Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standard të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.
Të nderuar qytetarë evitoni festat apo ceremonitë me më shumë se 10 persona në këto ambiente, dhe për më tepër duhet të jenë të rrethit të ngushtë familjar.
Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njërëzve tuaj të dashur.
Nëse keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127.