Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas më shumë se shtatë orësh, doli të enjten nga ndërtesa e Prokurorisë së Posaçme në Hagë, që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pas luftës në Kosovë, ku është intervistuar për katër ditë me radhë.
Ai tha pasi doli se ‘tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit të vlerësojnë me paanshmëri dëshminë time. Nëse e bëjnë në mënyrë profesionale të paanshme dhe të ndershme mund të vijnë lehtë në përfundimin se nuk kam bërë asnjë lloj krimi’.
Prokuroria e Posaçme më 24 qershor publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ai i ka mohuar akuzat, ndërsa ka theksuar se është i gatshëm të përballet me atë që ai e quajti sfidë të re dhe se sipas tij askush nuk mund ta rishkruajë historinë Kosovës.
Akuzat e Prokurorisë së Posaçme i janë dorëzuar një gjykatësi të procedurës paraprake i cili duhet të vendosë për konfirmimin apo hedhjen poshtë të tyre.
Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua më 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës por me personel ndërkombëtar.
Pretendimet për krime lufte kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.