Një 32-vjeçar i diagnostikuar me Covid-19 njoftohet të ketë humbur jetën të shtunën në mbrëmje në Pejë. Spitali i Përgjithshëm i Pejës njofton se ai kishte kryer testin, por rezultati nuk kishte dalë akoma.
Sipas asaj që thuhej në njoftim, 32-vjeçari kishte pasur sëmundje tjera shoqëruese.
“Një pacient i moshës 32-vjeçare nga Komuna e Pejës i shoqëruar edhe me sëmundje tjetër të rëndë, fatkeqësisht ka vdekur mbrëmë. I ndjeri ka qenë me diagnozë COVID-19, ka kryer testin por ende nuk ka pasur rezultat. Spitali i Përgjithshëm në Pejë shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit”, thuhet në njoftimin e spitalit.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, numri i rasteve aktive në vend ka shkuar në 2 mijë e 995. Numri total i rasteve pozitive në Kosovë ka arritur në 6917 që nga 13 marsi kur u konfirmuan rastet e para.
Ndërsa, deri më tani, 169 persona e kanë humbur betejën me Covid-19 në Kosovë.