Vaksina e COVID-19: gara e njerëzimit dhe çfarë mund të ndodhë?

Saturday, 08 August 2020 16:51

 

Komuniteti shkencor global po garon për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën e COVID-19, duke përdorur të gjithë arsenalin aktual hulumtues, që nga testimi i medikamenteve ekzistuese e deri tek terapitë e reja inovative. Megjithatë, zgjidhja më e favorshme do të ishte gjetja e një vaksine kundër COVID-19.

Gara për vaksinën po vazhdon. Më shumë se 135 kandidatë po punojnë ditë-e-natë për gjetjen e një vaksine efektive. Kujtojmë se pas shpërthimit të SARS-it në vitin 2002, u deshën rreth 20 muaj për të pasur një vaksinë të vetme kandidate, ndërkohë për Ebola-n 7 muaj, për Zikën 5 muaj e gjysmë dhe për SARS-CoV-2 vetëm 2 muaj!

Ky ndryshim në kohëzgjatje reflekton optimizëm, por situata nuk është tërësisht e tillë, pasi në të vërtetë vaksinat e Universitetit të Oxford-it (UO) dhe Kolegjit Baylor të Mjekësisë (KBM) (ndër kandidatët e parë) ishin projekte ekzistuese për koronaviruse të tjera. Konkretisht, vaksina kandidate e UO bazohet në vaksinën e koronavirusit të MERS-it dhe e KBM-së në atë të SARS-it, por që u ri-formuluan për t’u testuar për SARS-CoV-2.

Megjithatë, këto dhe më shumë se 130 vaksina kandidate që janë duke u testuar, do të duhet të kalojnë të gjitha fazat e provave rigoroze shkencore, përpara se të jenë të disponueshme në treg (lexoni më shumë për fazat dhe vaksinat kandidate në shqip këtu).

Duke u nisur nga përvoja epidemiologjike me vaksina të tjera virale të mëparshme, është e evidentuar se mbi 90% e tyre dështojnë në kalimin me sukses të të gjitha fazave dhe marrin mesatarisht 4-10 vite kohë për t’u prodhuar – gjykimet më optimiste të ekspertëve për COVID-19, tregojnë për një vaksinë të mundshme në fillim të vitit 2021. Me të drejtë këto gjykime bazohen në argumente shkencore, pasi nuk po testohet një medikament që ju jepet individëve të sëmurë për të parë se sa prej tyre do të përmirësohen, por po testojmë një vaksinë tek individë jo të sëmurë dhe presim të shohim nëse ata do të infektohen dhe si do ta përballojnë infeksionin – proces që kërkon përgjegjësi dhe kohë!

Deri më sot nuk ekziston asnjë vaksinë kundër asnjë prej koronaviruseve të njohur, që infektojnë njeriun, dhe për momentin nuk e kemi as lluksin e kohës, pasi vdekjet po shtohen dhe ekonomitë po sfidohen përditë. Ajo që na nevojitet gjithashtu për një funksionim pa kufizime dhe pa shqetësime të jetesës së përditshme është krijimi i imunitetit të tufës (shpjegim), i cili mund të arrihet atëherë kur 60-70% e popullatës është:

prekur nga infeksioni ose
është vaksinuar.
Nëse ne do të gjendemi në skenarin e parë me një nivel fataliteti 3.4% (e vlerësuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)), kjo do të përkthehej në infektimin e afërsisht 2 milion individëve (70% e 2,8 milion banorëve në Shqipëri), nga të cilët të paktën 67 mijë do të vdisnin (burimi), por kjo alternativë nuk është zgjidhja. Çdo humbje jete duhet shmangur dhe ne mund ta realizojmë. Nga këta dy skenarë, i dyti (vaksinimi), është alternativa e duhur dhe që shmang humbjet e parandalueshme të jetës.

Shumë individë mendojnë se edhe pse na nevojitet një vaksinë, asnjë vaksinë nuk të mbron 100% – dhe kanë të drejtë! ( burimi)

Megjithatë, sikur vitin që vjen të kemi qoftë edhe një vaksinë me efikasitet 70%, e përkthyer kjo shifër në realitetin Shqiptar, do të thotë që mund të shmangen 70% e vdekjeve. Për ta kuptuar më qartë këtë skenar, sot (05 Gusht 2020) nëse do të kishim një vaksinë, nuk do të numëronim 176 jetë të humbura (burimi), por vetëm 53 vdekje dhe 123 bashkëatdhetarë do të ishin në shtëpitë e tyre me të afërmit dhe të dashurit…

Më tej, ajo që shihet në garën e ekipeve kërkimore për gjetjen e vaksinës është se shumica e konkurrentëve janë kompani private (burimi). Sikur të marrim skenarin më pozitiv, që në fillim të vitit tjetër, do të kemi një vaksinë të suksesshme dhe efektive, do të na duhet të imunizojmë 70% të popullsisë globale dhe të prodhojmë një numër më të shumtë dozash vaksinore për të arritur këtë nivel imunizimi. Në skenarin më optimist me një vaksinë me efektivitet 95% dhe me një mbulesë potenciale vaksinimi 80%, do të thotë që globalisht (popullsia globale aktuale ~7.8 miliardë burimi) të vaksinojmë 80% (~6.2 miliardë individë) dhe 95% e tyre të jenë imun (~5.9 miliardë individë) – kjo do të ishte vërtetë një skenar ideal!

Mirëpo, nuk ka ndodhur kurrë më parë që të prodhohen ~6 miliardë doza vaksinore brenda një viti (nëse vaksina(t) e suksesshme do të ketë nevojë vetëm për një dozë të vetme dhe jo për dy!)! Qindra miliona doza janë prodhuar brenda një viti për vaksina të tjera, por miliarda brenda një viti kurrë më parë! Për më tepër, prodhimi do të marrë kohë dhe do të ketë kosto, ndërkohë që vaksina jo domosdoshmërisht do të mund të jetë e disponueshme menjëherë globalisht. Mos e konsideroni të pamundur një skenar të tillë, pasi në 2009 gjatë pandemisë së gripit të derrave (AH1N1) Australia ishte vendi i parë që krijoi një vaksinë dhe autorizoi vaksinimin vetëm të qytetarëve të vetë si fillim (burimi). Në të njëjtin vit, Kandaja bëri një lëvizje të ngjashme si ajo e Australisë (burimi) dhe ShBA-ja edhe pse deklaroi se do të mundësonte shpërndarje globale solidare të vaksinës që u gjet, priti sa u qetësua pandemia dhe nuk ndodhi siç kishte deklaruar (burimi). Pra, në thelb ka shumë rëndësi se ku do të prodhohet vaksina e ardhshme (nëse del!) pasi tani po del një front i ri lufte: nacionalizmi vaksinor (burimi)(burimi). Ky fenomen i ka dhënë disa sinjale shqetësuese dhe mund të ndodhë, pasi çdo vend ka nevojë për mjetet jetë-shpëtuese si vaksina dhe normalisht që do të vaksinojë popullsinë e vetë si fillim, por një mendësi nacionaliste në këtë drejtim, mund rrezikojë aksesin dhe disponueshmërinë e vaksinës për pjesën tjetër! Kjo sfidë po adresohet në një përpjekje globale për t’u solidarizuar për të vënë në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme kundër COVID-19, përfshirë edhe vaksinën (burimi)(burimi).

Gjithsesi,le të nisemi nga një skenar optimist dhe supozojmë sikur vaksina do të prodhohet nga një komapni farmaceutike (pasi ky skenar ka më shumë gjasa të ndodhë, duke qenë se studimet po financohen prej kompanive private), përsëri lind pyetja etike: Sa është çmimi për një dozë vaksine, që i lejohet të vendos një komapnie farmaceutike? Edhe këtu supozojmë se nuk do të ketë një kosto të papërballueshme, të paktën për një vend si yni.

Përveç kësaj do duhet që të kemi një mbulesë vaksinore për të githë dhe nevojitet të shpresojmë që maratona e gjetjes së vaksinës të ketë më shumë se një fitues. Kjo maratonë nuk është mes vendeve apo konkurrentëve, por ndërmjet njerëzimit dhe SARS-CoV-2 – një virusi mikroskopik që ka marrë qindra mijëra jetë njerëzish dhe ka futur në telashe të mëdha shumë ekonomi!

Për ta fituar këtë maratonë do të duhet të bëjmë atë që asnjë brez i mëparshëm i njerëzimit nuk e ka bërë: të krijojmë një vaksinë të sigurtë, për një kohë të shkurtër!

Nuk e dimë se si do të jetë ecuria e kësaj gare, por ajo që mund dhe duhet të bëjmë është :

të respektojmë rregullat bazë të etikës respiratore dhe higjienës,
të ruajmë distancën fizike nga njëri-tjetri (kur nuk është e mundur, të përdorim maskë ose barriera mbrojtëse),
të mbrojmë veten dhe të afërmit.
Vetëm duke treguar kujdes mund ta sfidojmë COVID-19… të paktën deri sa të kemi një vaksinë!

Vendi ynë nuk është në listën e vendeve që janë duke bërë kërkim shkencor në drejtim të vaksinës dhe as ka alokuar fonde për kërkim shkencor për COVID-19. Kjo mund të shihet si diçka normale, pasi në raportin e vitit 2019 të Bashkimit Europian për Shqipërinë, në Kapitullin 25: Shkenca dhe kërkimi shkencor thuhet Albania is at an early stage in the area of science and research.’ (shqip: Shqipëria është në një nivel shumë fillestar shprehimisht: ‘në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor) (raporti). Shpresojmë që ky fakt të mos shihet si diçka normale në vazhdim dhe të adresohet në vitet e ardhshme!

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...