“Nuk them se jam trim, jo as frikacak,
Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;
Vdekja për liri nuk më tremb aspak,
S’e duron robninë zemra e nji trimi?!
Këto janë vargjet e poezisë “o liri, o vdekje” që poeti Havzi Nela hodhi në letër në vitin 1987, një vit përpara se të dënohej me vdekje dhe të varej në qendër të qytetit të Kukësit, me akuzën e tradhëtisë së lartë ndaj atdheut. Sot në 32 vjetorin e varjes së tij, bashkëshortja Lavdije Nela kërkon nga SPAK hapjen e dosjeve dhe zbardhjen e plotë të vdekjes së Havzi Nelës. ajo thotë se përgjatë gjithë kësaj periudhe askush nuk ka bërë asgjë për të zbardhur dhe çuar përpara drejtësisë urdhëruesit e vrasjes së poetit.
Havzi Nela, pas një kalvari vuajtjesh dhe internimesh në kampet famëkeqe të komunizmit, u mbyll në burgjet politike të Burrelit dhe Spacit e më pas në 10 gusht 1988 u var në qendër të qytetit të Kukësit. më pas ai u shpall martir i demokracise dhe vetëm pas 30 vitesh, bashkia e Kukësit vendosi bustin e tij në qytet, rindërtoi shtëpinë muze në Kollovoz, fshatin e lindjes, ndërsa emrin e tij e mban edhe gjimnazi i qytetit.
Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i PD-se Lulzim Basha kane përkujtuar 32 vjetorin e varjes së poetit, dhe kane publikuar vargje nga poezitë e tij. Sipas presidentit Meta, vargjet e Havzi Neles gjëmojnë edhe sot me një forcë të jashtëzakonshme. “Litari i xhelatëve që i shteri frymën e fundit poetit disident dhe martirit të fjalës së lirë Havzi Nela, nuk do mundë kurrë të vrasë demokracinë, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, si dhe ëndrrën e çdo shqiptari për një Shqipëri si gjithë Europa” shkruan Meta. Ndersa Lulzim Basha e cilëson Havzi Nelën si poetin e pavdekësisë.