Specialisti i shëndetit publik, Erion Dasho thotë se nga numri i viktimave nga Covid-19 në vendin tonë, kemi të paktën 1000 raste ditore me Covid-19.
“Kanë kaluar gati 8 muaj nga nisja e pandemisë, të gjitha vendet i kanë rritur kapacitetet testuese në mënyrë eksponenciale. Shqipëria me justifikime nga më të çuditshmet, ka refuzuar të shtojë numrin e testimeve. Nuk e kontrollon dot Covidin pa testime. Testimet të lejojnë të dallosh ku i ke vatrat”,- tha në ”A2cnn”.
Sipas tij, duhet të testojmë 2000-5000 persona në ditë por jo vetëm kaq. Dasho thekson se ka disa aspekte ku vendi ynë po çalon.
”Tek ne çalon edhe gjurmimi i rasteve. Vendet e tjera gjurmojnë me metoda digjitale, ndërsa ne gjurmojmë si në shekullin XIX. Bëhet fjalë për mungesë vizioni dhe organizimi, pasi kapacitetet janë. Në fund, lë për të dëshiruar edhe trajtimi. Mjeku i familjes ka hyrë shumë vonë në lojë, janë të ekspozuar ndaj virusit sepse nuk janë riorientuar sistemet shëndetësore. Na çalon trajtimi te mjeku i familjes dhe nëpër spitale rajonale”.