Sa i dobishem eshte trajtimi me plazme per pacientet me Covid 19?

Hënë, 31 August 2020 09:36

 

Përgatiti : Ekipi Anti-Covid i Heda Albania*

Në disa vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë ka filluar të autorizohet trajtimi me plazmë për pacientët me COVID-19. Autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje për të filluar administrimin e plazmës konvaleshente – lëngu i verdhë që mbetet pasi gjakut i largohen qelizat e tjera – por pyetja më me vend që duhet bërë në këto momente është:

Cila është baza shkencore për këtë trajtim?

Për momentin, ekzistojnë shumë pak prova klinike që tregojnë se plazma mund të ndihmojë pacientët me COVID-19. Të vetmet barna që e kanë kaluar, madje me vështirësi, ‘provimin’ rigoroz të provave klinike të randomizuara janë deksametazoni dhe remdesiviri – dhe këto me përdorim të kujdesshëm!

Ndërkohë plazma konvaleshente është testuar vetëm në prova të kufizuara klinike, pa ndonjë fuqi statistikore të një niveli që mund të na ndihmojë të nxjerrim konkluzione të forta. Deri tani nuk kemi një dokument, ku të arsyetohet nga pikëpamja shkencore përdorimi i kësaj terapie, edhe pse kjo terapi mund të dalë që në fund do funksionojë.

Ndoshta arsyetimi mund të jetë që plazma konvaleshente nga dhurues që sapo janë ‘shëruar’ nga një infeksion mund të përdoret për të trajtuar individët e tjerë me të njëjtin infeksion, siç ka ndodhur në rastin e MERS, Ebola apo ndonjë infeksion tjetër. Arsyetimi terapeutik bazohet në idenë se plazma përmban antitrupa dhe proteina të cilat përfshihen në proceset e ndryshme të rregullimit të përgjigjes imunitare. Disa nga këto antitrupa mund ta kenë ndihmuar dhuruesin që të ‘shërohet’, dhe rrjedhimisht mund të mendohet se duke ja administruar individëve të infektuar do të ketë pasoja klinike më të mira. Edhe pse shumë kërkues dhe klinicistë e kanë parë të arsyeshme që të provojnë në fillimet e pandemisë terapinë me plazmë konvaleshente, të dhënat aktuale janë shumë të kufizuara dhe kërkuesit shkencorë anembanë botës e kanë pasur shumë të vështirë të provojnë efektivitetin e kësaj terapie.

Një vështirësi ka qenë fakti se ekziston një variacion (=ndryshueshmëri) i përqendrimeve të antitrupave në plazmën konvaleshente nga individë të ndryshëm, gjë që e ndërlikon hulumtimin e efektivitetit të saj. Në fillim të pandemisë nuk ekzistonte ende ndonjë mënyrë për të matur dhe standartizuar nivelin e antitrupave në çdo kampion. Ndërkohë tani, në shumë vende të botës (përfshirë Shqipërinë) nuk është provuar nëse plazma përmban ‘antitrupa neutralizues ’ të ‘fuqishëm’, që mund të parandalojnë replikimin viral, pasi analiza është shumë e shtrenjtë dhe kërkon procedura specifike që nuk janë të disponueshme në çdo vend të botës.

Ndërkohë një vështirësi tjetër është edhe fakti se në shumë vende plazma konvaleshente po përdoret në bazë të ‘përdorimit solidar’ (përshtatur nga ‘compassionate use’) për pacientët në gjendje kritike. Në ShBA një program i veçantë (BARDA) ka ofruar terapi me plazmë konvaleshente për më shumë se 70,000 pacientë, por pa pasur grup kontrolli për të krahasuar efikasitetin. Së fundmi disa nga të dhënat e këtij programi (për rreth 5,000 pacientë) janë publikuar dhe sugjerohet që është përgjithësisht terapi e padëmshme, por nuk thuhet që është terapi efektive (verifiko këtu), veçanërisht kur aplikohet me qasjen e ‘përdorimit solidar’. Megjithatë, në mungesë të një grupi kontrolli, kërkuesit kanë përfituar nga mungesa e një standartizimi të përqendrimit të antitrupave specifik ndaj SARS-CoV-2. Ky ekip pasi shqyrtoi më shumë se 30,000 pacientë të trajtuar me plazmë. Me këto të dhëna kërkuesit krahasuan rezultatet e individëve që morën plazmë me nivele të ulëta të antitrupave dhe atyre me nivele të larta të antitrupave (pre-printi këtu). Rezultatet (që ende nuk e kanë kaluar filtrin e peer-review) treguan se individët që u transfuzuan menjëherë pas diagnozës dhe me përqëndrime të larta të antitrupave kishin përmirësim dhe më pak gjasa për të vdekur gjatë periudhës së studimit, krahasuar me ata individë të cilët u transfuzuan me plazmë me përqendrime më të ulëta të antitrupave dhe kohë pas diagnozës. Edhe pse kjo gjetje është shumë e rëndësishme, mungesa e randomizimit (=shkartisjes) e bën të vështirë nxjerrjen e konkluzioneve solide. Kjo pasi pacientët të cilët u trajtuan menjëherë pas diagnozës, mund të jenë trajtuar në qendra spitalore të cilat ofrojnë kujdes më cilësor. Pra, këtu ne shohim një lidhje, por jo një marrëdhënie shkak-pasojë!

I njëjti ekip kërkimor publikoi një preprint (që edhe ky ende nuk e ka kaluar filtrin e peer-review) tjetër ku tregonte të dhëna nga rreth 800 pacientë nga studime të ndryshme, me shpresë se do të rriste fuqinë statistikore të konkluzioneve (preprinit këtu)). Megjithatë rezultatet treguan se kjo terapi ul vdekshmërinë nga 26% në 13%, por është e vështirë të nxjerrim konkluzione solide nga të dhëna që vijnë nga skicime studimore të ndryshme – dhe këtë e thonë vetë autorët! Kjo pasi provat e ndryshme klinike trajtuan pacientë me doza të ndryshme plazme dhe nivele të ndryshme të ashpërsisë së infeksionit COVID-19, dhe duke parë indikatorë të ndryshëm të efikasitetit. Megjithatë, edhe pse të kritikueshme, të paktën kemi këto të dhëna, pasi nuk ka të tjera për momentin!

Por kjo nuk do të thotë që nuk janë duke u zhvilluar prova të tjera për të treguar efikasitetin e terapisë me plazmë. Grupi i hulumtues i provës RECOVERY dhe ai i REMAP-CAP janë duke testuar terapi të ndryshme, përfshirë edhe terapinë me plazmë te individët në gjendje kritike. Por duhet të presim të flasin studimet!

Kjo analizë synon që të ndërgjegjësojë profesionistët e shëndetit për të pasur më shumë rezerva për efikasitetin e terapisë me plazmë, të paktën deri sa të kemi më shumë të dhëna. Kjo pasi ekipi i HEDA e ka bërë një analizë më parë për mungesën e provave për efikasitetin e hidroksiklorokuinës (këtu) dhe rezultoi që nuk kishte efikasitet! Terapia me plazmë mund të rezultojë efikase pasi indikacione biologjike dhe klinike për të ka, por momentalisht nuk kemi të dhëna bindëse.

Referenca: Bazuar në një analizë të prestigjiozes NATURE

* Ekipi Anti-Covid përbëhet nga: Aldi Pupuleku PhD, Denisa Baci PhD, Erand Llanaj MPH, MSc, PhD(c), Ina Mexhitaj PhD(c), Irma Kuka, Julia Daragjati PhD, Livia Tepshi PhD, Teuta Muhollari PhD(c).

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...