“Kemi një rritje të numrit të infektimeve, në Tiranë kryesisht por edhe në disa qarqe të tjera të vendit, si Durrësi, Lezha, Kukësi, kryesisht qarqet e veriut janë ato të cilat kanë një numër më të rritur të infektimeve, ndaj kemi forcuar kapacitetet, bëri të ditur sot ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në takimin që ajo pati me ekipin e epidemiologëve të Tiranës.
Kjo është arsyeja që janë rritur edhe 10 ekipe të reja në terren.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale theksoi se kapacitetet e testimit janë rritur me 3 herë,
deklaroi se ndër prioritetet kryesore janë shkollat, mësuesit dhe nxënësit, për të kufizuar përhapjen e infeksionit.
“Testimet janë rritur me 3 herë krahasuar me muajin Qershor, sigurisht kjo falë punës që epidemiologët kanë bërë, kapaciteteve të shtuara të Instituit të Shëndetit Publik, por edhe punës në terren, sepse ashtu sikurse ne e kemi thënë, testimi pa gjurmimin dhe pa izolimin do të ishte vetëm një hallkë, por nuk do të ishte plotësim rigoroz i strategjisë për kufizimin e përhapjes së infeksionit”, tha Manastirliu.
Ekspertët e shëndetit publik, kanë thënë se janë rritur shumë vatrat me koronavirus kjo ka nxitur dhe rritjen e testimeve.
“Nuk është se ne kemi shtuar testimet se duhet të shtojmë testimet. Kemi shtuar testimet sepse në terren ka më shumë vatra dhe është kërkuar nga popullata, nga kushtet ku jemi, për shtuar këtë testim”, tha dr. Adela Vasili, eksperte e shëndetit publik.
Vatrat kryesore
Epidemiologët e Tiranës u shprehën se puna në terren është rritur, sidomos në institucionet arsimore dhe vatrat kryesore janë të përqëndruara në zonat me densitetin më të lartë. Ata u shprehën se bonusin prej 1 mijë euro po vijojnë ta marrin çdo muaj.
“Në fokusin tonë kryesor kemi kryesisht shkollat dhe për t’u lidhur dhe me vatrat e nxehta që kemi në kryeqytet, kryesisht Astirin, ish-Bllokun, Kombinatin, etj”, u shpreh epidemiologu Rexhep Muja.