Pandemia e COVID-19 e ka zhytur rajonin e Ballkanit Perëndimor në një recesion të thellë, të shoqëruar me rënie të kërkesës së brendshme dhe të jashtme dhe ndërprerje në
zinxhirët e furnizimit, duke i shtyrë të gjashtë vendet e rajonit drejt një territori me norma negative të rritjes ekonomike për vitin 2020. Sipas Raportit të Rregullt Ekonomik (RER) të publikuar së fundmi nga Banka Botërore, rritja ekonomike e rajonit parashikohet të jetë -4.8 përqind në vitin 2020, 1.7 pikë përqindje më e ulët se parashikimi i bërë në muajin Prill. Vala e dytë dhe më e fortë e pandemisë që nga mesi I qershorit ka penguar më tej rimëkëmbjen ekonomike të rajonit. Kufizimet e udhëtimit dhe masat e distancimit social kanë dobësuar gjithashtu rritjen ekonomike të vendeve me varësi më të lartë nga turizmi.
Pandemia po rrezikon më tej tregjet e punës në rajon dhe po kërcënon të përmbysë progresin e bërë nga këto vende në drejtim të rritjes së mirëqenies sociale, veçanërisht në uljen e varfërisë. Deri në qershor, papunësia në rajon u rrit me rreth gjysëm pikë përqindjeje, duke eleminuar 139,000 vende pune. Numri I personave që kanë rënë në varfëri në Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri vlerësohet të jetë shtuar me 300,000 – shifër kjo e konsiderueshme, por raporti gjithashtu evidenton se vetëm më pak se gjysma e tyre nuk kanë përfituar nga masat mbështetëse për përballimin e krizës.
“Ashtu si në vendet e tjera të botës, pandemia e COVID-19 po vazhdon të godasë rëndë njerëzit në
Ballkanin Perëndimor, duke vënë në rrezik shëndetin dhe mirëqenien ekonomike të popullsisë në të gjashtë vendet e rajonit,” thotë Linda Van Gelder, Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.
“Sado e keqe të jetë kjo situatë, do të kishte qenë shumë më keq nëse qeveritë nuk do të kishin ndërhyrë me shpejtësi që prej fillimit të krizës. Prioritet kryesor mbetet menaxhimi i krizës shëndetësore dhe kufizimi i dëmit ekonomik. Politikëbërësit në vendet e rajonit do të duhet më pas të përqendrohen në forcimin e treguesve bazë makroekonimkë të vendeve të tyre për të siguruar një rimëkëmbje të qëndrueshme.”
Sipas raportit, të gjashtë vendet e rajonit reaguan me shpejtësi duke ndërmarrë masa për mbrojtjen e jetës dhe mjeteve të jetesës së qytetarëve. Prezantimi i skemave të mëdha për ruajtjen e vendeve të punës, përfshirë subvencionet e pagave të punonjësve, ndikoi në frenimin e një pjese të pasojave më të rënda të pandemisë në punësim, ndërsa programet e ndihmës sociale, si transfertat e parave, ndihmuan në mbrojtjen e shtresave më të cënueshme të popullsisë në rajon nga masat e izolimit dhe kufizimet e tjera.
Megjithatë, pavarësisht këtyre masave, arritjet e viteve të fundit të vendeve të rajonit në drejtim të pjesëmarrjes në forcat e punës tashmë janë përmbysur dhe progresi në uljen e varfërisë ndodhet në
rrezik për shkak të krizës. Këtyre sfidave i shtohet dhe problemi i rritjes së lartë të deficiteve fiskale në rajon, pasi qeveritë po vijojnë të rrisin shpenzimet për të përballuar kontraktimin ekonomik pavarësisht të ardhurave në rënie. Duke qenë se kohëzgjatja e krizës ekonomike është e paqartë, presioni mbi tregjet e punës dhe të ardhurat ka të ngjarë të vijojë për disa muaj.
“Përveç përmirësimeve në sistemet shëndetësore dhe mekanizmat e mbrojtjes sociale, hartuesit e politikave në rajon duhet të marrin masa për të rritur kapitalin njerëzor, për të forcuar institucionet dhe për të përmirësuar sistemin e sundimit të ligjit. Kjo situatë e pavaforshme, e cila kërkon rritjen e shpenzimeve në një kohë kur të ardhurat po bien, shton presionin mbi qeveritë e rajonit për t’i dhënë përparësi qëndrueshmërisë fiskale, përfshirë përmirësimin e shpenzimeve publike dhe forcimin e pajtueshmërisë tatimore,” shprehet Linda Van Gelder.
Raporti vlerëson se shpejtësia e rimëkëmbjes, në periudhë afatshkurtër, do të varet nga ecuria e
pandemisë, disponueshmëria e një vaksine që do të bëjë të mundur kthimin në normalitet të aktivitetit
ekonomik dhe rimëkëmbja e qëndrueshme e partnerit kryesor tregtar të rajonit – Bashkimit Evropian (BE).