VOA: Të sëmurët vijnë me makina private te Infektivi se nuk u përgjigjet urgjenca

Tuesday, 17 November 2020 20:41

 

Në Shqipëri debati mbi menaxhimin e pandemisë së COVID-19 nga strukturat shëndetsore, ka marrë një përmasë të re pas shtimit të rasteve të infektimit. Pozitiviteti ka arritur në 24% nga 17 sa ishte tre muaj më parë.

Ekspertët kanë kritika për numrin e ulët të testeve ndërsa zyrtarët mendojnë se niveli i vdekshmërisë më i ulëti në rajon pas Serbisë, flet për menaxhim të mirë.

Kritika në rritje ka dhe për vonesat në përgjigjet e testeve si dhe për centralizimin e shërbimeve spitalore vetëm në Tiranë. AutorItetet njoftojnë aplikimin së afërmi të testeve të shpejta, ndërsa çeljen e pavioneve në spitalet rajonale për të prekurit nga COVID-19 mendojnë ta realizojnë në një fazë tjetër

Vala e dytë e pandemisë së COVID-19 që ka prekur Shqipërinë ashtu siç edhe pritej ka sjellë shtim të numrit të infektimeve kryesisht gjatë javëve të fundit. Autoritetet raportojnë një rritje të pozitivitetit në afro 24 % nga 17 që ishte në muajin shtator.

 

Për pasojë ka një fluks të shtuar të vizitave në qendrat shëndetësore, dhe të të shtruarve në 3 spitalet COVID në Tiranë, si dhe realitete të ndryshme të ofrimit të shërbimeve mjeksore tek qytetarët.

Nga një vëzhgim i Zërit të Amerikës rezultoi se disa qytetarë sollën me makinë private në Spitalin Infektiv të sëmurin pasi siç thanë nuk ju ishte përgjigjur shërbimi i urgjencës, ndërsa një tjetër qytetare tha se i afërmi i saj ndiqej nga mjeku i familjes dhe se urgjenca kishte mbërritur shumë shpejt.

Aktualisht kryhen afro 2300 testime në 24 orë dhe rezultojnë pozitivë 450-500 raste. Testimet janë rritur 3 deri në 4 herë krahasuar me muajin korrik, e megjithatë disa ekspertë janë kritikë për këtë proces, dhe thonë se Shqipëria është e fundit në rajon për testimet, 48 mijë për 1 milion banorë, gjë që sipas tyre i ka sjellë dëme procesit të hetimit epidemiologjik.

“Hetimi është një element i rëndësishëm, i cili duhet të ketë pastaj dhe hapa të tjerë. Këtë informacion që ti merr nga një testim 2, 3 apo 5 herë më të madh se ai që bëhet sot, e përkthen në rezultate. Nga ana tjetër popullatat e çdo vendi kanë karakteristika të veçanta, kështu që gjithkush që vendos gjithçka është i gatshëm të gjejë statistikat nga Italia, Franca apo Gjermania. Është një lloj kakofonie numrash që vijnë në mënyrë spontane nga çdo lloj realiteti dhge gjithkush merr atë që do dhe mbështet vendimarrjen dhe opinionin etij”, shprehet për Zërin e Amerikës Prof. Assoc. Fabian Cenko Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.

Autoritetet zyrtare të shëndetësisë i rrëzojnë këto argumente, kur thonë se gjatë këtyre muajve mjaft shembuj në botë të testimit masiv duke nisur nga Italia, nuk dhanë rezultat.

“Strategjia jonë e testimit ishte një strategji e zgjuar. Ne testonim rastin e dyshuar, atë që kishte shenja dhe në bazë të hetimit epidemiologjik kontaktet e ngushta të këtyre personave. Vërtet kemi numër më të ulët të testimit në krahasim më vendet e rajonit, por situatën epidemiologjie e kemi më të kontrolluar. Numri i fataliteteve përshembull, vetëm Serbia e ka pak më të ulët se ne. Pra nuk ka asnjë lloj korelacioni mes testimit dhe rezultatit”, thotë për Zërin e Amerikës Mira Rakacolli, Zv. Ministre e Shëndetësisë.

Zyrtarë të ISHP sot flasin për një transmetim të gjerë komunitar ku vatrat familjare mbajnë peshën më të madhe. Masat kufizuese të qeverisë në reduktimin e orarit të lëvizjeve nga ora 22 deri në 6, dhe mos-hapja e universiteteve, sipas tyre ka sjellë frenim të pandemisë. Por ndërgjegjësimi i popullatës në ruajtjen e distancës në bare restorante apo dhe mbajtja e maskës në ambjente publike është ende i ulët.

Ekspertë të PD në opozitë rendisin si dobësi të sistemit shëndetësor në përballimin e pandemisë centralizimin e dhënies shërbimit mjeksor për pacientët nga i gjithë vendi vetëm në tre spitale në Tiranë, në atë infektiv, spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe Kovid 3, duke sjellë dhe mbingarkesë të tyre.

“Ne kemi parë që shumica e njerëzve janë duke u trajtuar në familje, për shkak se qeveria e ka centralizuar trajtimin e personave me gjendje mbi të mesme dhe lartë, të rëndë, në dy spitale dhe kemi parë që këto spitale janë të mbingarkuara. Kjo ka ulur besueshmërinë e pacientëve tek sistemi shëndetësor saqë ata thonë, që më mirë trajtohemi në familje se sa në spitale. Pra është një mungese besimi ndaj sistemit”, shprehet për Zërin e Amerikes Gazmend Koduzi, Departamenti i politikave shëndetësore në PD.

Autoritetet thonë se pandemia nuk është një betejë spitalore, dhe se i kanë dhënë përparësi parandalimit përmes testimit dhe gjurmimit si dhe forcimit të rolit të mjekut të familjes që ndjek rastet e lehta dhe të mesme.

“Kjo sëmundje duhet ndjekur gjithmonë në dinamikë dhe ka nevojë dhe për një vlerësim të një specialisti dhe kjo ndodh zakonisht kur frekuenca kardiake e një pacienti rritet mbi 30 për minutë, saturimet e oksigjenit ulen poshtë 92-it, atëherë mjeku i familjes e drejton pacientin drejt specialistit. Patjetër që është një formë që nuk mund ta mbajë në shtëpi. Kërkon një terapi të specializuar dhe një shërbim spitalor”, shprehet për Zërin e Amerikës Jonida Diko, Drejtoreshë e Qendrës shëndetësore Nr. 10 në Tiranë.

Autoritetet shëndetësore i përgjigjen kritikave për mbingarkesë të spitaleve Kovid në Tiranë duke thënë se kanë 550 shtretër dhe 30% e tyre janë të lira aktualisht. Në total në të gjithë vendin në planin rezervë të përshirjes për trajtim edhe të 5 spitaleve rajonale janë 1600 shtretër gjithsej, aktualisht 75% e tyre të lira, ndërsa ka dhe rezerva të tjera nëse do të duhen sqaron Zv Ministrja e shëndetësisë. Në lidhje me centralizimin e shërbimit në Tiranë Zonja Rakacolli jep këtë argument.

“Kemi vendosur që kjo është alternativa më e mirë edhe për një mirmenaxhim të burimeve njerëzore. Spitalet rajonale sot për sot po përballin urgjencën. Bëjnë vlerësimin kur ju shkon i sëmuri. Nëse ata e gjykojnë se është infektuar më Kovid, atëherë ata e dërgojnë për një trajtim më të specializuar në strukturat e dedikuara për COVID në Tiranë”, shprehet Mira Rakacolli Zv. Ministrja e Shëndetësisë.

E megjithatë kritikët thonë se janë evidentuar probleme edhe me marrjen e përgjigjes pas kryerjes së tamponit nga specialistët, që shkojnë në vonesa deri në 10 ditë nga 72 orë që është norma e pranuar. Aktualisht janë tre laboratorë të sistemit publik që kryejnë ekzaminimin si dhe disa në sistemin privat.

“Sistemi privat vërtet bën tamponin i cili mund të rezultojë pozitiv por ky duhet të rinkonfirmohet në ISHP. Kjo ka sjellë vonesa në marrjen e përgjigjes deri në 14 ditë, dhe shumë stres në këto familje, shumë problematika sepse rrezikohet vendi i punës”, shprehet për Zërin e Amerikës, Erjon Skëndaj, gazetar i Televizionit News 24.

Specialistët e sistëmit shëndetësor thonë se nuk mungojnë kapacitetet njerëzore dhe laboratorike por shtimi i testimit solli një fluks të menjëhershëm, një vështirësi që u kapërcye sqarojnë ata, duke njoftuar se laboratorët privatë po vleresohen nga një grup specialistësh për të shmangur rikonfirmimin në ishp, pa të cilin mjeku i familjes aktualisht nuk lëshon recetë. Hapi tjetër lidhet me testet e shpejta.

“Komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar hyrjen në tregun shqiptar të testeve të shpejta. Ka dalë dhe udhëzuesi mbi këto teste, të cilat janë planifikuar që do të aplikohen nga institucionet shtetërore, urgjencat e spitaleve nga poliklinikat, nga mjeku i familjes dhe shumë shpejt këto do jenë aktive dhe funksionale”, shprehet për Zërin e Amerikës Dr. Eugena Tomini, Instituti i Shëndetit Publik.

Kritkave në rritje për kostot e larta të mjekimit të kovid 19 qeveria ju përgjigj së fundi me mbështetje financiare të barnave për kurim në kushte shtëpie, pas refeerimit nga mjeku i familjes. Qeveria ka njoftuar dhe rritjen e buxhetit të shëndetësisë me 23 % si dhe rritjen e pagave me 40% për të gjithë personelin shëndetësor. E megjithatë mjaft qytetarë i janë drejtuar kurimeve jashtë sistemit shëndetësor publik, me një kosto të lartë, jo vetëm për të shmangur pritjen dhe ankthin për një sëmundje të panjohur, por dhe si shenjë mosbesimi ndaj tij./VOA

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...