Në Shqipëri, rastet e reja me koronavirus, po vijnë duke u ulur, ndërsa numri i vdekjeve mbetet i lartë e po ashtu shqetësuese është dhe situata në spitale e veçanërisht me të sëmurët në gjendje të rëndë.
infektivipaciente (3)
Në 24 orët e fundit autoritetet njoftuan për 16 persona të cilët kanë humbur jetën: 6 qytetarë nga Tirana, 3 qytetarē nga Fieri, 2 qytetarë nga Berati, 1 qytetar nga Shkodra, 1 qytetar nga Lezha, 1 qytetar nga Gjirokastra, 1 qytetar nga Kuçova, 1 qytetar nga Përmeti, të moshave 49 vjeç deri në 86 vjeç. Një ditë më parë, u rregjistruan 18 viktima.
Shtrimet në spitale vijojnë të rriten. Deri të shtunën pasdite në të tre spitalet që trajtojnë të sëmurët me shenja klinike, ndodheshin 471 pacientë. Por ajo që duket më problematike, është se vijojnë të shtohen dhe ata që janë në gjendje të rëndë. Autoritetet bënë të ditur se në terapi intensive janë 27 pacientë dhe 9 të intubuar.
Për të katërtën ditë radhazi, numri i rasteve të reja erdhi duke u reduktuar, ndërsa po ashtu dhe testimet janë tkurrur, me 545 të infektuar që rezultuan nga 2026 tamponë. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se “rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 159 raste në Tiranë, 40 në Vlorë, 37 në Kavajë, 36 në Shkodër, 32 në Lushnje, 26 në Durrës, 20 në Berat, nga 19 raste në Sarandë, Elbasan, 17 në Fier, nga 14 raste në Kurbin, Pogradec, 13 në Tepelenë, 12 në Mirditë, 9 në Gjirokastër, nga 8 raste në Pukë, Tropojë, Peqin, Kolonjë, nga 7 raste në Kukës, Librazhd, 6 në Gramsh, nga 4 raste Dibër, Malësi e Madhe, nga 3 raste në Krujë, Korçë, Has, Përmet, Delvinë, 2 në Devoll, 1 në Bulqizë”.
Krahasuar me një ditë më parë dhe pozitiviteti ka rezultuar në rënie, 26.9 përqind, nga 30 përqind që ishte një ditë më parë. Pozitiviteti (raporti mes rasteve të konfirmuara dhe testimeve) është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.