Klodian Rasha, 25-vjeçari i vrarë nga efektivi i forcave “Shqiponja”, N.Hajdaraj, nuk ka qenë i armatosur në momentin kur është qëlluar. Burime të sigurta nga grupi hetimor bëjnë me dije për Fax News, se referuar hetimeve të deritanishme, rezulton se i riu në momentin që është qëlluar, nuk ka qenë i armatosur.
Hetuesit kanë dalë në këtë përfundim, pasi nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se 25-vjeçari kur është qëlluar nga polici është rrëzuar në tokë duke humbur ndjenjat. Dhe nga këqyrja që hetuesit kanë kryer, ka rezultuar se përveçse në vendin e ngjarjes, nuk ka asnjë njollë gjaku tjetër, çka vërteton se pasi ka marrë goditjen Rasha nuk ka mundur të ecë më shumë se gjysmë metri.
Nga informacionet e siguruara nga grupi hetimor, mësohet se ka pasur një pellg gjaku vetëm në vendin ku Klodian Rasha është qëlluar. Duke qenë se arma që sipas policisë dyshohet se i përkiste viktimës, është gjendur rreth 100 m larg nga vendi ku u qëllua i riu, dhe përgjatë kësaj distance hetuesit nuk kanë konstatuar asnjë njollë tjetër gjaku, ata kanë dalë në përfundimin se Klodian Rasha ka qenë i paarmatosur kur është qëlluar nga efektivi i policisë