Pas disa orësh proteste para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, qindra protestues marshuan mbrëmjen e kaluar, rreth mesnatës, drejt banesës së 25-vjeçarit Klodian Rasha, që u vra nga policia.
Pasi kanë mbërritur te banesa e të ndjerit, ka qenë babai i 25-vjeçarit, Qazim Rasha, që i prekur tej mase ka dalë dhe ka falënderuar protestuesit, duke iu uruar që të kenë vetëm ditë të lumtura në familjet e tyre dhe të mos kalojnë atë që po kalon ai vetë.
“Ju lutem, mos më vini gjëra që nuk e kam në karakterin tim, familjen time, fisin tim. Jam një qytetar, prej 50 vitesh banor i Tiranës, i kam shërbyer vendit, shtetit, kam punuar me ndershmëri. Gëzoj respektin e familjes, të lagjes, të të gjithëve. Mos më vini, se unë nuk i shërbej askujt, vetëm familjes, ashtu siç duhet t’i shërbeni edhe ju. Mos më rëndoni me gjëra e lloj lloj formave, që nuk i imagjinoj, pse duhet bërë, kur është e qartë. Ju falënderoj të gjithëve, paçi të gjithë veç ditë të lumtura, jo këtë që kam unë”, iu tha babai i viktimës protestuesve