Një 29-vjeçar shqiptaro-amerikan është dhunuar nga efektivët e policisë së shtetit pasi është konstatuar pa maskë.
Erald Alimehmeti fillimisht është ndaluar dhe më pas është shoqëruar dhunshëm nga punonjësit e policisë.
Në dëshminë e dhënë, 29-vjeçari thotë se është rrahur brenda makinës gjatë shoqërimit ndërsa dhuna ka vijuar edhe në ambientet e komisariatit numër 2 brenda një dhome pa kamera.
“Më futën në dhomë dhe nuk mi hoqën prangat dhe aty më kanë goditur të gjithë policët që më shoqëruan. U kam thënë disa herë që të lajmëroja konsullatën amerikane që të njoftoja nënën time që është në Amerikë.Unë nuk kam goditur njeri pasi kam qenë i prangosur.”
Por e kundërta dëshmohet nga efektivët e policisë Rrugore, sipas të cilëve Alimehmeti i ka kërcënuar dhe më pas gjuajtur me shkelma në momentin që ata i kanë hequr prangat.
Praninë e dhunës fizike te 29-vjeçari e ka konstatuar dhe gjyqtari Kreshnik Omari si dhe prokurori i çështjes, të cilët zhvilluan masën e sigurisë për shqiptaro-amerikanin Alihmehmeti, pasi rezultoi se ai kishte hematoma të shumta në fytyrë.
Ora News mëson se pas këtij konstatimi prokuroria e Tiranës i ka kërkuar ShÇBA të nisë hetimet për punonjësit e policisë Albert Vidrica, Laert Bistri, Edvin Zhupa, Zabit Laçi dhe Shkëlqim Hasmica, të cilët dyshohet të jenë personat përgjegjës për dhunimin e Erald Alimehmetit. /Ora News