Ulet numri i viktimave dhe ai i rasteve të reja me Koronavirus në 24 orët e fundit në Shqipëri
Pas sanitares Tire Alldervishi që punonte në spitalin Covid 2 e cila zhvati nga paratë vajzën e një pacienteje me koronavirus, emisioni Stop në Tv Klan sjell sonte një tjetër rast abuzimi.
Bëhet fjalë për një skandal në sistemin shëndetësor, kësaj radhe në Spitalin Infektiv ose në spitalin Covid 1. Një qytetar, djali i një 58-vjeçari, ka denoncuar se babait të tij, i cili ishte i shtruar në spitalin Covid 1 pasi ishte infektuar me koronavirus, i kanë vjedhur paratë që kishte në portofol.
Sipas denoncimit të tij, babai iu shtrua në spital më 22 Dhjetor 2020 dhe humbi jetën më 27 Dhjetor 2020. Djali thotë se para se të shtronte të atin në spital, i kishte dhënë portofolin me 202 mijë Lekë të vjetra, brenda së cilës ndodhej edhe karta e bankomatit së bashku me kodin pin. Por dy ditë përpara se babai të humbiste jetën, denoncuesi tregon se nga bankmati ishin tërhequr para me kartën e bankës që kishte lënë në portofolin e të atit.
Bëhet fjalë për datën 25 Dhjetor, kohë që përkon me ditën kur babai i denoncuesit ishte futur në intubim pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar. Dy ditë pas këtij veprimi, më 27 Dhjetor babai i tij ndërroi jetë për shkak të Covid-19. Punonjësit e spitalit Covid 2 i kthyen denoncuesit sendet personale të babait.
Ai vuri re se brenda portofolit mungonin 200 mijë Lekë të vjetra, por kishin mbetur vetëm 2 mijë Lekë të vjetra. Edhe karta e bankës së bashku me shënimin për kodin pin mungonte. Djali thotë se ka vënë në dijeni edhe infermieren, me të cilën fliste për shëndetin e të atit, por ajo ka refuzuar ta denoncojë këtë akt.
Denoncuesi: “I jam drejtuar emisionit Stop për një skandal që ka ndodhur tek QSUT, tek Infektiv 1. Më datë 22 është shtruar, në datë 23 unë kam folur me babain dhe tha jam mirë. Më datë 24 e ditët në vazhdim unë me babain nuk kam folur më, ja kanë marrë telefonin dhe nuk kam patur asnjë kontakt me babain. Dhe më datë 27 ka ndërruar jetë. Dhe erdhi funerali te shtëpia, bëmë adetin, pritëm e përcollëm njerëz, hapa gjërat personale të babait dhe aty shoh që në portofol mungonte karta e bankës dhe 200 mijë Lekë të vjetra që ka pasur në portofol. Unë ia kam vendosur babait tim 200 mijë Lekë në portofol dhe kur e kam hapur portofolin për të vendosur lekë, kam parë dhe kartën e bankës aty, por nga stresi që kisha nuk kam guxuar ta heq. Por kur humbi jetën, kam kontrolluar portofolin dhe shoh 2 mijë Lekë të vjetra dhe kartën e bankës dhe kodin që nuk ishte aty. Sendet e tjera, kartë identiteti dhe patenta aty ishin. Karta e bankës dhe passëord nuk ishin aty. Nuk më intereson sa lekë është vjedhur, mua më intereson gjesti që është bërë. Doktori, infermieri, pastruesja apo ku e di unë kush ka qenë aty, personali i spitalit… Kam marrë doktoreshën dhe i kam thënë i ka humbur babait karta e bankës dhe më ka thënë nuk është e drejta ime, mos m’i bjer më telefonit se po bëj shopping (pazar). Nuk është problemi im pse ia kanë vjedhur babait tënd kartën e bankës. Unë jam infermiere dhe kaq dhe ma ka fikur telefonin”.
Gazetari i emisionit Stop, Genci Angjellari, ka investiguar rreth kësaj çështje dhe ka zbuluar se më datën 25 Dhjetor 2020, pra ditën kur pacienti ishte futur në intubim, nga një bankomat ishin bërë 3 tërheqje, nga 200 mijë Lekë të vjetra çdo herë, në total 600 mijë Lekë. Madje, punonjësi i spitalit Covid 1 që ka marrë kartën e bankës së pacientit që humbi jetën nga virusi, ka tentuar të tërheqë para edhe nga një bankomat Credins Bank në qytetin e Durrësit, por veprimi nuk është autorizuar. Pra në total, viktimës i kanë vjedhur 800 mijë Lekë të vjetra nga portofoli dhe nga bankomati.
Djali i viktimës thotë se babai i tij është grabitur brenda spitalit. Ai shprehet se ka bërë denoncim në polici dy javë më parë, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Denoncuesi: “Te policia kam bërë denoncim dhe më kanë thënë do e kemi parasysh, po s’e kur do zgjidhet nuk e di. Prandaj i jam drejtuar emisionit Stop, që ta bëj publike dhe të gjendet personi”.
Në mungesë të një hetimi nga ana e autoriteteve, Stop investigoi dhe zbuloi se 3 tërheqjet e parave janë bërë në orën 08:00 të mëngjesit të datës 25 Dhjetor 2020 nga një bankomat Raiffeisen që ndodhet pranë QSUT-së përballë Universitetit të Mjekësisë. /tvklan