Ndonëse numri i infektimeve dhe fataliteteve për shkak të koronavirusit është rritur frikshëm në ditët e fundit të muajit që lamë pas, Komiteti i Ekspertëve vendosi të mbajë të pandryshuar masat anti-COVID.
E vetmja gjë që do të konsiderojë është hapja e universiteteve, pas insistimit të studentëve. Ndërsa fluturimet me Britaninë e Madhe do të vijojnë të jenë të mbyllura deri në një datë të dytë.
SHIFRAT
Komiteti Teknik i Ekspertëve deklaroi se situata është shumë e rëndë duke folur për shifra në rritje në të gjitha drejtimet. Dhe këtë, ia atribuon qytetarëve që nuk kanë respektuar masat.
“Kemi pasur rritje të numrit të rasteve, ku incidenca javore ka shkuar në 209 raste për 100 mijë banorë. Është një rritje e rëndësishme, pasi 2 javë më parë ishte nën 200. Këtë tavan prej 200 e kërkojnë edhe vendet e tjera. Nga ana tjetër, edhe incidenca 2-javore është rritur. Kemi edhe rritje të të shtruarve në spital, por edhe të numrit të të vdekurve. Vihet re një rritje graduale në të gjitha bashkitë e vendit. Vërehet një rritje e rasteve në të gjitha grupmoshat”, deklaroi shefja e Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, në konferencën e një dite më parë, i mbështetur edhe nga kreu i Urgjencës Skënder Brataj, i cili foli për rritje të vizitave dhe shtrimeve spitalore.
“Ajo që bie në sy në ditët e fundit është fakti i rritjes së numrit të vizitave, por edhe i pacientëve në spital, nga 35 në ditë në 60-65 në ditë”. Pas disa javësh me shifra stabël, spitalet COVID kanë filluar të mbushen. Deri dje, numri i pacientëve ka arritur në 365 pacientë, por përqindja e atyre në gjendje të rëndë është rritur. Njëzet e pesë janë në terapi intensive, nga të cilët nëntë pacientë në intubim. Edhe fatalitetet, tanimë kanë filluar të numërohen me dyshifrorë. Dje u shënuan 13 viktima të moshave nga 60- 80 vjeç. Ndërsa numri i infektimeve duket se nuk ka ndërmend të bjerë nën 900, pavarësisht testimeve të kryera. “Janë kryer 2960 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 865 qytetarë”, raporton Ministria e Shëndetësisë.
UNIVERSITETET
Pasi hartoi rregulloren e posaçme mbi zhvillimin e provimeve online, rektori i Universitetit më të madh në vend, Artan Hoxha ka dalë me një urdhër, i cili parashikon që provimet që mund të jepen në distancë përmes platformave elektronike, të mos shtyhen. Ndërsa të tjerat, në auditorë, pas marrjes së “OK” nga Komiteti i Ekspertëve. “Provimet e semestrit të parë do të zhvillohen online. Provimet, të cilat nuk mund të zhvillohen online për shkak të specifikës së lëndës, do të zhvillohen në auditor vetëm pas marrjes së miratimit përfundimtar nga Komiteti i Ekspertëve. Në rast se komiteti nuk miraton kërkesat, titullarët e tyre të shohin mundësinë alternative të përmbylljes së procesit të provimeve në këtë semestër. Në pamundësi, do të përcaktohet një periudhë e mëvonshme”. Dje Komiteti për herë të parë dha shpresë për hapjen e auditorëve, me gjithë drojën e konfirmimit të qarkullimit të mutacioneve të virusit, për të cilin të rinjtë shërbejnë si transmetues të lartë. “Po punojmë së bashku me Ministrinë e Arsimit për të vlerësuar mundësitë konkrete të këtij realizimi dhe patjetër që do të kemi një vendim të shpejtë, maksimumi deri në fund të kësaj jave”, deklaroi mira Rakacolli. Prej gati një viti, universitetet janë të vetmet institucione që qëndrojnë të kyçura