Për shkak të Covid 19 sektori i arsimit është përballur me një krizë të paprecedentë, e cila pritet të shtrijë efektet negative për dekada me radhë, pasi një brez i tërë ka humbur aksesin në dije. Edhe kur kriza shëndetësore e shkaktuar nga covid 19 të ketë përfunduar dhe ekonomia do të nisë rikuperimin, humbjet në arsim do të mbarten gjatë gjithë shekullit.
Banka Botërore përllogariti se, në vendet në zhvillim me të ardhura të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria, 63 nxënës në 100 të tillë kanë akses të kufizuar në arsim, e cilësuar ndryshe si varfëri arsimore. Këto vështirësi janë krijuar nga të mësuarit online. Shumë nxënës në vendet në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria nuk kanë qasje në internet dhe nuk kanë platforma efikase te të mësuarit online. Për rrjedhojë, më shumë se 60% e nxënësve kanë humbur mundësitë për të përfituar njohuritë sipas programeve dhe kurrikulave mësimore.
Në vendet me të ardhura të mesme dhe të ulëta, 53% e të gjithë fëmijëve 10 vjeç nuk mund të lexonin dhe kuptonin një tekst të thjeshtë edhe para pandemisë. Por Covid-19 e ka përkeqësuar krizën e të mësuarit dhe ndikimi në kapitalin njerëzor të këtij brezi nxënësish, ka të ngjarë të jetë afatgjatë.
Në kulmin e mbylljes së shkollës në prill 2020, gati 94% ose 1.6 miliardë fëmijë ishin jashtë shkollës në të gjithë botën, teksa sot 700 milionë fëmijë po studiojnë nga shtëpia. Në Shqipëri mbi 400 mijë fëmijë të ciklit 9-vjeçar vijojnë mësimin online dhe në mënyrë të alternuar me orë të kufizuar në klasë.
Mësuesit, të gjendur mes ngarkesës mësimore, frikës së pandemisë dhe mungesës së internetit kanë humbur efektivitetin e mësimdhënies. Teksa kjo situatë ka mbërthyer Kryeqytetin, në rrethe dhe sidomos në zonat rurale, ku dobësitë janë shumë më të rënda për shkak të mungesës së teknologjisë, internetit dhe stafeve arsimore të afta për tu përshtatur me realitetin e ri, situata është edhe më e rëndë.
Banka Botërore pohon se gati të gjitha vendet në botë kanë shënuar regres në arsim. Të dhëna nga anketat e vitit 2020 tregojnë se edhe disa nga vende me të ardhura të larta kanë zbuluar tashmë humbje të të nxënit dhe rritje të pabarazisë . Fëmijët e vegjël janë veçanërisht të rrezikuar pasi që pandemia po përkeqëson pabarazitë ekzistuese në të ushqyerit, shëndetin etj