Shkruan Luca Grossi
Prokurori i Republikës i Catanzaros Nicola Gratteri e kishte thënë prej kohësh që mafiet ballkanike, sidomos ato shqiptare, do të hynin me sparkatë në trafikun ndërkombëtar të drogës. Sot, operacione të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare e kanë vërtetuar fjalën e tij. Një nga këto operacione ka sjellë arrestimin e shqiptarit të kërkuar Ardjan Çekini dhe një tjetër sekuestrimin e 400 kileve kokainë nga ana e Gardës Civile spanjolle, në dëm të klanit mafioz malazez Skaljari.
Bazuar në informacionet e mbledhura gjatë këtyre dy operacioneve, këto grupe kriminale po afirmohen përherë e më tepër në tregun e madh të kokainës, duke forcuar vazhdimisht raportet me 'Ndranghetan kalabreze, kupola e vërtetë që ka monopolin e trafikut të kokainës.
Aksi Tiranë - Reggio Calabria
Krimi i organizuar shqiptar mbetet një nga organizatat e huaja më aktive e më të përhapura në territorin italian (Relacioni DIA, 2018) duke shfaqur kapacitete të larta kriminale edhe në nivel ndërkombëtar, bazuar edhe në ndërthurjen e tipareve ‘tradicionale’ (disiplinë e brendshme e ashpër, mbyllje karshi të tretëve, besueshmëri dhe potencial i lartë intimidimi) me elementë ‘modernë’ (ndërkombëtarizimi, organizim ekonomik, lidhje me politikën). Potenca e tyre ekonomike dhe militare vjen thuajse e gjitha nga trafiku i drogës me Evropën dhe në mënyrë të veçantë me krimin e organizuar italian.
Në vitet e fundit, emisarët e tyre kanë kërkuar të aplikojnë të njëjtën mënyrë veprimi të 'Ndranghetas në Amerikën Latine, ku kanë negociuar krijimin e lidhjeve direkt me prodhues e trafikantë për dërgesat e drogës në Evropë, me qëllim uljen e kostove. Në fakt, tani grupet kriminale ballkanike janë në gjendje të blejnë kokainë direkt nga narkot amerikanojugorë me çmim 2000 dollarë kilja ('Ndrangheta është mafia e vetme në botë që arrin ta blejë me 1000 dollarë), për rishitur pastaj me 40 mijë euro kilja.
Sipas hetimit të kryer InSight Crime e Global Initiative Against Transnational Organised Crime, me titull ‘The Cocaine Pipeline to Europe’, botuar në shkurt, lidhjet midis mafias shqiptare dhe 'Ndranghetas u kanë dhënë mundësi grupeve ballkanike të bëhen ndër përfituesit kryesorë të bumit të tregtisë së kokainës në kontinent. Edhe Sasha Xhorxheviç, koordinator në terren i Global Initiative për Serbinë e Malin e Zi, e ka konfirmuar një raport të tillë, duke pohuar se ‘në dy dekadat e fundit, mafiet shqiptare kanë kryer shumë punë në Amerikën Latine për të ndërtuar kontakte dhe reputacion me kartelet e drogës, si dhe kanë zhvilluar një 'track record' në të dyja anët e Atlantikut për të organizuar dërgesa të mëdha kokaine’.
Rezultati i këtij ekspansioni është hegjemonia pothuajse totale e mafieve shqiptare në tregtinë e kokainës në vende të ndryshme evropiane, Britaninë dhe Spanjën. Një episod tjetër që konfirmon lidhjen e ngushtë midis 'Ndranghetas dhe mafies shqiptare ishte arrestimi (si pjesë e operacionit ndërkombëtar I-CAN, Interpol Cooperation Against 'Ndrangheta) dhe ekstradimi i Ardjan Çekinit në Itali nga Shqipëria, më 21 janar 2021.
Ai u akuzua për pjesëmarrje në shoqatë kriminale të tipit mafioz dhe trafik ndërkombëtar droge, në kuadrin e operacionit ‘Magma’, koordinuar nga Kryeprokurori i Reggio Calabrias Giovanni Bombardieri. Çekini nuk është ndonjë person i rëndomtë, por njeri i besuar i ndrines Belloço në Rosarno, - një nga ndrinet më të fuqishme brenda ‘Ndranghetas, aktive që nga vitet '70 dhe aleate me 'ndrine të njohura, si Piromalli, Mancuso, Pesce, Molè - dhe referent i familjes Belloço në të gjithë zonën e Ballkanit.
Një operacion tjetër i lidhur me marrëdhëniet mes 'Ndranghetas e Shqipërisë ishte ai i quajtur ‘Profil i ulët’, me pjesëmarrjen e qindra efektivëve nga DDA e Catanzaros, Policia e Shtetit dhe Karabinierët, koordinuar nga Prokurori i Catanzaros Nicola Gratteri dhe që zbuloi përfshirjen e subjekteve Lorenzo Cesa, ish-eurodeputet dhe sekretari i UdC; Francesco Talarico, sekretar rajonal i UdC dhe këshilltar i buxhetit rajonal, ish këshilltari komunal i Catanzaros Tommaso Brutto dhe sipërmarrësi Antonio Gallo, i konsideruar nga hetuesit si i afërt me organizatat kriminale krotoneze në Kalabri.
Ishte edhe rasti i Klement Balilit – një ish-zyrtar publik i njohur ‘Escobari i Ballkanit’ – i cili, sipas një dosjeje të policisë greke, kishte ndërtuar një rrjet të dendur marrëdhëniesh me disa përfaqësues të politikës shqiptare palët dhe ‘Ndrangheta.
Por mafiet shqiptare nuk janë të vetmet që po ngrenë kokë. Katër anëtarë të klanit mafioz malazez Skaljari u arrestuan nën dyshimin se trafikonin kokainë në arkipelagun në brigjet veriperëndimore të Afrikës, sipas një njoftimi për shtyp të 8 gushtit nga Garda Civile spanjolle. Gjatë arrestimeve, autoritetet konfiskuan 400 kilogramë kokainë dhe 400,000 euro. Operacioni demonstroi sesi trafikantët malazezë të drogës tani janë në gjendje të përdorin lidhjet me Amerikën Latine për të importuar sasi të mëdha të kokainës, duke u bërë gjithmonë e më të suksesshëm në trafikun ndërkombëtar të drogës.