Një grup i dytë prej 95 qytetarësh afganë sapo mbërritën në Shqipëri para mesnatës të të shtunës me një fluturim të drejtpërdrejtë nga aeroporti i Kabulit. Midis tyre janë edhe dy foshnje, njofton Zëri i Amerikës.
Ashtu si edhe grupi i parë mbrëmë me 121 persona, edhe ky grup i dytë përbëhet nga veprimtarë të shoqërisë civile, pjesë e fondacioneve humanitare, që kanë punuar këto vite në Afganistan.
Edhe ky grup i dytë u prit në aeroport nga ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim.
Ky është fluturimi i dytë drejt Shqipërisë, që sjell shtetas afganë për t’u strehuar përkohësisht si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna e talebanëve në Afganistan.
Sipas ministres së jashtme, Olta Xhaçka, e cila po koordinon përpjekjet e Shqipërisë në ndihmën për afganët e shpërngulur, “derisa të lirohen strukturat hoteliere nga piku i sezonit turistik, grupet e tjera të afganëve, që do të vijnë në vazhdim, do të strehohen për pak ditë në konviktet e Qytetit Studenti”.
Pak kohë pas avionit të dytë mbërriti edhe një grup i tretë me 60 qytetarë afganë me një avion, që erdhi nga Doha.