Qytetarët afganë në Shqipëri: Duam të shkojmë në SHBA

Hënë, 13 September 2021 08:19

 

Rreth 700 refugjatë afganë kanë mbërritur deri tani në Shqipëri, që prej 27 gushtit kur mbërriti grupi i parë. Disa prej tyre, ish zyrtarë të qeverisë së rrëzuar në Afganistan, i thanë Zërit të Amerikës se korrupsioni dhe ndikimi negativ i fqinjëve, bënë që vendi i tyre të bjerë në duart e talebanëve. Ata u shprehën gjithashtu, se po ndjekin me trishtim dhunimin e të drejtave të grave dhe vajzave atje, nga regjimi taleban, që mori pushtetin me dhunë në mesin e muajit gusht.

Qytetarët afganë që janë strehuar në Shqipëri me kërkesë të SHBA dhe vendim te qeverisë shqiptare, pas largimit të amerikanëve nga Afganistani dhe marrjes se pushtetit nga talebanët, janë strehuar në zona rezidenciale në Durrës dhe Tirane.

Mbi 40 prej tyre kanë patur pozicione drejtuese në qeverinë e rrëzuar në Afganistan dhe mjaft të tjerë kanë profesione të ndryshme si, artist, shkencëtar, profesorë, mjekë, përfaqësues të sistemit të drejtësisë etj. Rreth 400 refugjatë afganë janë vendosur në Shëngjin. Disa prej tyre i thanë Zërit të Amerikës se kanë punuar me projekte të rëndësishme të qeverisë amerikane, në Afganistan. Ata u shprehën se pas ardhjes së talebanëve në pushtet në mesin e muajit gusht, gjithçka u përmbys brenda pak orëve, dhe jeta e tyre dhe e familjarëve u vu në rrezik.

 

“Brenda ditës talebanët pushtuan Kabulin dhe presidenti fatkeqësisht u largua nga vendi. Madje unë bleva një biletë për në Turqi, por aeroportet u mbyllën. Shumica e njerëzve që punonin në qeveri, në shoqërine civile, gazetarë apo në profesione të tjera, janë ende në Afganistan. Një pjesë e familjes time është në SHBA, ndërsa motra në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithmonë mendoj për 30 apo 35 milionë njerëzit që jetojnë në Afganistan e që janë në rrezik të madh”- tha për Zërin e Amerikës Mustafa Majidyar, ish-zyrtar në Ministrinë e Industrisë në Afganistan.

Pasiguria dhe frika e hakmarrjes së talebanëve, ndaj familjarëve të mbetur në Afganistan, i shoqëron gjatë gjithë kohës. Ndaj disa kërkuan të mbeten anonimë. Ahmadi, emri jo i vërtetë, i këtij qytetari afgan tha për Zërin e Amerikës se ka punuar në një prej Ministrive në Afganistan në një program të USAID. Ata që kishin punuar me amerikanët thotë ai ishin të parët në shënjestrën e talebanëve.

“Jeta ime ishte në rrezik si i punësuar nga USAID në Afganistan. Kjo ishte një nga arsyet që unë u largova. Bashkëshortja dhe fëmijët e mi janë me mua, por babai nëna dhe vëllai i cili është profesor dhe avokat, kanë mbetur atje dhe une jam shumë i trishtuar për këtë gjë. Ata janë fshehur pasi jeta e tyre është në rrezik”- tha për Zërin e Amerikës Ahmad (emri jo i vërtetë), ish zyrtar në një prej Ministrve në Afganistan.

Afganët e strehuar në Shqipëri përkohësisht, ndjekin me keqardhje lajmet e trishta, që vijnë nga vendi i tyre. Hilai Barakzai, thotë se ka punuar si konsulente për amerikanët në një kompani private inovacioni. Ajo arriti të largohet por familja e saj është ende në Afgansitan.

“Në Afganistan situata vetëm po përkeqësohet, flasin për probleme të ndryshme, thonë që femrat nuk lejohet të shkojnë në shkollë, madje motres sime të vogël në klasë të gjashtë ia ndërprenë shkollimin”- u shpreh për Zërin e Amerikës Hilai Barakzai, konsulente në një kompani private inovacioni Afganistan.

Ndërsa Muska, emër i përdorur nga Zëri i Amerikës, për të ruajtur anonimatin e kësaj gruaje afgane, tha se para se të largohej nga Afganistani, punonte për një universitet amerikan, me projekte nga USAID, në ndihmë të 75 vajzave të sapodiplomuara në fakultetet e bujqësisë në 4 rajone të Afganistanit. Ajo bashkë më nënën dhe motrën arriti të largohet, dhe është në pritje që t’u bashkohet dhe babai i cili

ende ndodhet ende atje. Zonja Muska tha se ndjehet e trishtuar për të ardhmen e grave dhe vajzave në vendin e saj.

“Para se të vinin talebanët, gratë ishin të lira, mund të punonin në organizata qeveritare, të dilnin, mund të shkolloheshin, të jepnin mësim në shkolla. Tani çdo gjë ka ndryshuar. Mund t’ju jap një shembull konkret, mamaja ime ishte mësuese në një shkollë të mesme për vajzat, për më shume se 20 vjet, por tani nuk i lejohet të shkojë në shkollë. Pas pushtimit të talebanëve ata dhanë urdhërin se vajzat mund të edukohen deri në klasë të gjashtë. Ndjek lajmet shpesh, dhe në disa provinca talebanët kanë urdhëruar që vajzat të shkojnë në shkollë komplet të mbuluara me hijab (shami). Para se të vinin talebanët, vajzat dhe djemtë mësonin në një klasë të përbashkët. Tani që talebanët janë në pushtet, kanë ndaluar vajzat dhe djemtë të mësojnë në një klasë. Asgjeë nuk është e qartë, nuk e di se si do të jetë ardhmja për të drejtat e grave në Afganistan”- tha për Zërin e Amerikës Muska, (emër i vërtetë), e angazhuar me projekte të USAID, përmes një univervisteti amerikan.

Zonja Hilai Barakzai thotë se edhe ekonomia në Afanistan po rrënohet çdo ditë dhe se njerëzit atje po humbin vendet e punës.

“Tani është shumë keq. Askush nuk ka punë, nuk ka të ardhme atje. Çdo gjë ka ndaluar tani. Unë kam përgjegjësi për familjarët, jam pa të ardhura, dhe po përpiqem të gjej një punë këtu dhe t’i ndihmoj ata”- u shpreh Hilai Barakzai, konsulente në një kompani private inovacioni Afganistan.

Azita, emri që Zëri Amerikës i vendosi kësaj gruaje afgane për t’i ruajtur anonimatin, tha se është artiste dhe se ndjehej e frikësuar për familjen e saj që ndodhet ende në Afganistan, në një provincë që u ka rezistuar talebanëve.

“ Situata në Afganistan është shumë keq, nuk ka asnjë përmirësim, njësoj si të ecësh në një tunel të errët. Për shkak të korrupsionit, nuk mundën ta ndërtonin Afganistanin dhe gjithashtu na

shkatërruan dhe ne”- tha për Zërin e Amerikës Azita (emër jo i vërtetë), artiste rruge në Afganistan.

Ahmadi, emri jo i vërtetë i tij, i përdorur për arsye sigurie, ish- zyrtar në qeverinë e rrëzuar të Afganistanit, i pyetur se cila ishte arsyeja që vendi i tij ndodhet sot në duart e talebanëve dha këtë përgjigje:

“ Është pyetje shumë e vështirë për t’u përgjigjur sepse ka shumë duar në këtë mes, që nga duart e fqinjit e deri te duart e poltikanëve. Në këto 20 vjet, lidhjet tona me vendet fqinje si Pakistani dhe Irani, nuk ishin të mira. Një nga arsyet që Afganistani ka përfunduar në duart e talebanëve është vendi fqinj Pakistani”- tha Ahmad (emër jo i vërtetë), ish zyrtar në një prej Ministrve në Afganistan.

Por ish-zyrtari afgan Mustafa Majidyar, sheh si shkak të situatës së sotme në Afanistan keqeversjen.

“Problemi i madh ishte korrupsioni. Komuniteti ndërkombëtar na ndihmoi me shumë para në këto 20 vite, por ato shkuan në duar të 20 ose 30 vetëve. Edhe në kohën e Presidentit Karzai edhe në kohën e presidentit Ghani u emëruan në qeveri njerëz të korruptuar. Ata nuk i drejtuan njerëzit në rrugën e drejtë. Ky ishte problemi më i madh në vend”- Mustafa Majidyar, ish-zyrtar në Ministrinë e Industrisë në Afganistan.

Colleen Denny, drejtore e organizatës joftimprurëse, “Shpirti i Amerikës” për Europën, që ka realizuar disa projekte në Ballkan, thotë për Zërin e Amerikës se ka marrë nën përgjegjësi direkte mbi 120 afganë, dhe se po i ndihmon me ushqime dhe veshmbathje. Ajo ndjehet e surprizuar nga mikpritja e shqiptarëve.

“ Është një përvojë e mrekullueshme dhe ndërgjegjësuese. Unë nuk kisha dëgjuar më parë për kulturën e besës në Shqipëri. Mikpritja e njerëzve është shumë frymëzuese. Kam mësuar shumë, për sjelljen e njerëzve këtu dhe dua t’i marr me vete në Shtetet e Bashkuara këto zakone”- tha për Zërin e Amerikës Colleen Denny, drejtore e organizatës joftimprurëse, “Shpirti i Amerikës” për Europën.

Mjaft qytetarë afganë të vendosur në Shqipëri thonë se po presin aprovimin e proçedurave të azilit dhe se duan të shkojnë në SHBA. Ata shprehen se e shohin të zytmë të ardhmen e Afganistanit, me ardhjen e talebanëve në pushtet. Disa prej tyre shpresojnë të kthehen sërish nëse gjendja atje përmirësohet. Aktualisht ata ndjehen të dëshpëruar dhe më sytë tek gjithçka kanë lënë pas në vendin e tyre, që nga të afërmit dhe deri tek kujtimet e një jete, që e kishin menduar krejt ndryshe nga ajo që po jetojnë sot.

Modifikuar më Tuesday, 14 September 2021 10:34
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...