Sot është dita e tetë e luftimeve në Ukrainë prej mëngjesit të 24 shkurtit, kur Rusia nisi “operacionin ushtarak”.
Situata paraqitet shumë e rëndë dhe brenda një jave, sipas UNHCR, një milion njerëz kanë lënë Ukrainën, pa harruar këtu luftimet e ashpra dhe shumë viktima.
Në një moment kritik jo vetëm për fatet e Ukrainës dhe kur shumë shtete kanë nisur të japin ndihmat e para, nuk mund të mbetej pas as gjigandi austriak i sigurimeve UNIQA Insurance Group, aksionerja më e madhe e kompanisë më të madhe në Shqipëri dhe rajon, SIGAL.
Nën moton “Ndihmojmë më mirë së bashku”, kompania me seli qëndrore në Austri dhe shtrirje në 18 shtete, përfshirë edhe Rusinë e Ukrainën, njofton dhurimin e 1 milion eurove si ndihmë për Ukrainën dhe fton qytetarët të kontribuojnë përmes Karitasit dhe Kryqit të Kuq austriak.
“Lufta në Ukrainë na lë me një pyetje: Si mund të ndihmojmë?
UNIQA lançon një nismë donacioni së bashku me Karitasin dhe Kryqin e Kuq Austriak ndërsa po japim 1 milion euro shtesë, përveç të gjitha donacioneve.
Kushdo që kërkon të dhurojë mund ta bëjë këtë nëpërmjet një bashkëpunimi të veçantë dhurimi me Karitasin dhe Kryqin e Kuq. Faleminderit për mbështetjen tuaj!
Ndihmojmë më mirë së bashku”, shkruan UNIQA Group në njoftimin e saj.
“Mendimet tona janë me të gjithë ata që vuajnë nga dhuna. Ne kemi shumë kolegë në Ukrainë dhe fokusi ynë absolut është t'i ndihmojmë ata. Kjo është arsyeja pse ne aktualisht po marrim me qira apartamente në zona të sigurta për ata kolegë dhe familjet e tyre që duhet të ikin nga luftimet.
Çdo orë marrim oferta të reja ndihme nga anëtarë të panumërt të komunitetit ndërkombëtar UNIQA, të cilat janë një rreze drite në këto ditë të vështira”, theksonte pak ditë më parë kompania austriake.