Një paciente të cilës iu mohua trajtimit shëndetësor nga Qendra Spitalore Nënë Tereza ka fituar së fundmi betejën ligjore me spitalin, pasi sipas gjykatës ky i fundit nuk zbatoi protokollin e dhënies së trajtimit mjekësor.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka vendosur së fundmi kundër Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” përballë padisë të një paciente E.R , e cila paditi spitalin pasi nuk mori trajtimin e nevojshëm shëndetësor.
Duke i akorduar paditëses dëmshpërblim pasuror dhe jo pasuror, gjykata është shprehur se QSUT nuk ka zbatuar protokollin për dhënien e trajtimit mjekësor.
“QSUT ka detyrimin ligjor të bëjë përllogaritjen në kohë të të gjitha nevojave që ka për medikamente dhe t’i propozojë personit të tretë për të prokuruar blerjen e tyre me qëllim që të mos mbetet asnjë periudhë kohore pa ofruar shërbimin mjekësor me medikamente” – thuhet në vendimin e gjykatës.
Shoqata “Together for Life”, një organizatë jofitimprurëse që operon prej disa vitesh në Shqipëri në mbrojtje të të drejtave të pacientëve dhe që dha mbështetje për procesin gjyqësor tha për BIRN se vendimi i gjykatës përcjell shpresë te pacientët për të kërkuar të drejtat e tyre.
“Për ne ky është hapi i parë i një kauze të madhe në mbrojtje të pacientëve, i cili na jep shpresë për zgjidhjen e problemeve të tyre,” tha Eglantina Bardhi, e cila drejton TFL.
Sipas Bardhit, edhe pse ligjërisht shërbimi shëndetësor është falas, pacientët hasen me sfida të mëdha në marrjen e këtij shërbimi jetësor, kryesisht përmes mungesës së medikamenteve dhe ekzaminimit, por edhe në mungesë të shërbimit në kohë dhe atij adekuat.
Pacientët që vuajnë sëmundje të rënda dhe ato të trashëguara si talasemia dhe hemofilia janë më të prekurit nga mangësitë e sistemit shëndetësor.
“Këto sjellin përkeqësim të shëndetit të pacientit, por ndonjëherë edhe humbje të jetës së tij,” përfundoi ajo.
Ndonëse shëndetësia falas ishte një nga premtimet që sollën në pushtet qeverinë ‘Rama’, sistemi shëndetësor në Shqipëri ka vazhduar të rëndojë vazhdimisht në xhepat e shqiptarëve, të cilët paguajnë shpenzimet më të larta në Europë për shëndetësinë.
Në vitet e ardhshme të mandatit të qeverisë “Rama 2” megjithatë diskursi shëndetësor ka kaluar nga shëndetësia falas te koncensionet miliona-dollareshe në shëndetësi.
Një investigim i BIRN në vitin 2015 zbuloi se Ministria e Shëndetësisë i dha një koncesion hemodialize shumë-milionësh një kompanie pak të njohur dhe pa eksperiencë, pronarja e së cilës ka lidhje farefisnore me drejtuesin e Spitalit Amerikan por jeton me të ardhura e një bar kafeje në Berat.
Gjithashtu një investigim tjetër zbuloi se një biznesmen i vogël shqiptar nga Peruxhia, pronar i një agjencie ndërmjetësimi dhe një kompanie ndërtimi qëndron pas tenderit të kontestuar me vlerë 100 milionë USD të Ministrisë së Shëndetësisë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit. /BIRN