Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, është cilësuar në vendimin e këtij mëngjesi nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve si figurë e pastër.
Në raportin e inspektoratit të pasurive, gjyqtarja Tusha rezulton me pasuri të justifikuara. Raporti përshkruan se gjyqtarja kushtetuese i ka deklaruar pasuritë e saj, të tilla si banesë në Tiranë, 500 metra toke në Farkë dhe shtëpi në Gjirin e Lalëzit, për të cilën ka ende pa shlyer një këst. Edhe për komponentin e dytë të Vettingut, DSIK ka referuar se gjyqtarja Vitore Tusha ka figurë të pastër dhe pa lidhje të dyshimta.E njëjta gjë konkludohet edhe për aftësitë profesionale të gjyqtares Tusha pas kontrollit të pesë dosjeve gjyqësore.
KPK dhe vëzhguesi i ONM Teo Jacobs testuan gjygjtaren edhe për aftësitë profesionale.
Vendimi do të shpallet të enjten. Por nga gjetjet e evidentuara, parashikohet që Tusha të jetë e para gjyqtare ndaj të cilës do të vendoset vula pozitive, e përshtatshme për të qenë gjyqtare.
Vitore Tusha mban gradën “Doktore shkencash”, anëtare e Gjykatës Kushtetuese që prej vitit 2008, si dhe anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Tusha është mes gjyqtarëve që kanë shpallur si jo kushtetuese çështje me ndjeshmëri të lartë publike sikurse marrëveshja e detit, apo ligji i lustracionit.