Ngjarja e disa muajve më parë është përsëritur sërisht në zonën D të minierës së Bulqizës. Një gropë e madhe është hapur në rrugë duke “përpirë” një pjesë të madhe të rrugës. Në ndryshim nga ajo e pak muajve më parë ku po në të njëjtin vend, humbja e tokës mori me vete edhe një minibus, dhe një godinë që shërbente për pushimin e punëtorëve që punonin në stogjet e kromit, kjo e sotmja për fat të mirë nuk ka patur dëme të tilla përveç dëmeve të rrugës.
Për momentin gropa është rrethuar me shirit dhe anash saj është vendosur një tabelë që tregon rrezik.
Nuk dihen ende shkaqet që çuan në krijimin e një grope të tillë por ekspertët hedhin dyshime tek gërmimet nëntokë të firmave private.
Specialistët po ashtu shpjegojnë se perimetri ku ka patur tri herë fundosjes të tokës në të njëjtën pikë, është me rrezik dhe se duhet bërë verifikim i plotë në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e njerëzve që punojnë dhe jetojnë në këtë zonë.