Rovena Gashi, ish Drejtoresha e Marëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe e Dekriminalizimit si edhe bashkëshorti I saj Dritan Gina, ish Kryeprokuror I qarkut të Elbasanit, janë vendosur zyrtarisht nën hetim nga prokuroria e Përgjithsme.
Çifti I prokurorëve, janë, duke u hetuar për të paktën tri vepra penale: Pastrim të produkteve të veprës penale të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal; fshehje të pasurisë në bashkëpunim dhe për deklarim të rremë të pasurisë së tyre pranë organeve zyrtare.
Rovena Gashi krahu i djathtë i ish Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës Adriatik Llallapërgjatë pesevjeçarit të qëndrimit të tij në krye të detyrës. Ajo ka qenë po ashtu edhe një ndër të shkarkuarat e para nga detyra, nga ana e Kryeprokurores së re Arta Marku, sapo ajo u zgjodh në këtë detyrë nga Parlamenti. Edhe bashkëshortit të zonjës Gashi, Dritan Gina iu hoq komandimi si kryeprokuror i qarkut të Elbasanit duke u rikthye në vendin e emërimit si Prokuror i thjeshtë, menjëherë pas shkarkimit të Rovenës.
Të dy i refuzuan publikisht këto vendime dhe ndoqën pas kësaj rrugën ligjore kundër Kryeprokurores së re, për tu rikthyer sërisht në postet që mbanin gjatë kohës që Kryeprokuror ishte z. Llalla. Deri tani, gjykatat i kanë dhënë të drejtë znj. Arta Marku për vendimet e saj.
Çifti i bashkëshortëve prokurorë janë pjesë e listës së zezë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Atyre ju refuzua viza amerikane në janar 2017 sëbashku me një grup tjetër prokurorësh dhe gjyqtarësh.
Lajmi se Rovena Gashit dhe Dritan Ginës ishin zyrtarisht nën hetim ka ardhur një ditë pas një interviste televizive të Ambasadorit Amerikan Donald Lu, i cili tha se ndaj zotit Llalla ka nisur një hetim dhe në Shqipëri, i cili “po mbështetet nga Qeveria e SHBA. Po punojmë me prokurorët dhe policinë shqiptare, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që ne kemi kuptuar, në mënyrë që të vendosin nëse duan ta çojnë këtë çështje në gjykatë”.
Adriatik Llalla është i pari qytetar në botë ndaj të cilit Departamenti i Shtetit ka aplikuar një ligj që ndalon katër pjestarë të familjes së tij të udhëtojnë drejt SHBA, me motivacionin për përfshirje në raste të mëdha të korrupsionit gjatës kohës së ushtrimit të detyrës së Kryeprokurorit të Shqipërisë.
Me hetimin e nisur ndaj Rovena Gashit dhe Dritan Ginës shënohet rasi i parë në historinë e e vendit që dy bashkëshortë pjesë e sistemit të drejtësisë të vendosen njëkohësisht zyrtarisht nën hetim, si bashkëpuntorë në një akuzë kaq të rëndë si ajo për pastrimin e parave të pista.
Prej ditësh flitet për të paktën 16 prona të fshehura nga çifti i prokurorëve, mes të cilave një pallat në një nga zonat më interesante të plazhit të Durrësit, ku të paktën 14 apartamente tek Shkëmbi i Kavajës figurojnë në emrin e babait të Rovena Gashit, i cili është 63 vjeç dhe nga vitit 1992 rezulton si i papunë.
Po ashtu ka edhe dy godina të tjera njëra prej të cilave prej mijëra metrash katrorë ndërtim, ku kryen aktivitetin e biznesit në fushën e fasonerisë një firmë e njohur Italiane në lagjen Nr. 14 Shkozet dhe një tjetër në hyrje të autostradës Durrës Tiranë ku kryen aktivitet një firmë e shitjeve me shumicë e pakicë të materialeve hidrosanitare.
Nga një vlerësim paraprak që iu bë pasurisë së prokurorëve rezulton se pasuritë e fshehura prej tyre i kalojnë 2-3 milionë eurot. Megjithatë burimet thonë se numri i pronave të padeklaruara prej tyre, është edhe më i madh se lista e bërë deri tani publike. Në deklarimet e pasurisë së Rovena Gashit dhe Dritan Ginës të cilat u bënë publike javët e kaluara, u mësua se 15 vjet më parë pasuria e tyre ishte pothuajse inekzistente.
Vetmë një vit pas emërimit në detyrë pranë kryeprokurorit Adriatik Llalla, Rovena Gashi ka deklaruar si shtesë pasurie një shtëpi në Tiranë dhe një tjetër në Durrës. Ndërsa bashkëshorti i saj Dritan Gina një dhuratë prej 35 mijë eurosh. Dokumenti ku do jepeshin shpjegimet për burimin e kësaj dhurate, është zhdukur nga dosja e z. Gina.
Deri më tani asnjëri prej tyre nuk ka dhënë asnjë shpjegim rreth akuzave publike të bëra në media në adresë të tyre për pronat e fshehura dhe pasuritë e padeklaruara.
Çështja aktualisht është në duart e një grupi prokurorësh specialë të Prokurorisë së Përgjithshme. Si edhe në rastin e Adriatik Llallës i cili po hetohet nga Prokuroria e Durrësit, edhe për hetimin zyrtar ndaj Rovena Gashit dhe Dritan Ginës pritet që dosje të transferohet në një nga Prokuroritë fqinjë me Tiranën. Ligji për rastet si këto kur Gashi dhe Gina kanë punuar sëfundi në Tiranë, parashikon që dosja ti kalojë prokurorive të qarqeve fqinjë Elbasan ose Durrës.