Prania e lumenjve në disa qytete është mrekulli e sidomos në këtë stinë të viti. Por, pamja që ofron lugina e Lumit Shkumbin është shndërruar në problem për qytet ku ky lum kalon. Një pamje e shëmtuar dhe u mbushur plot me mbeturinat është gjithçka që Shkumbini ofron jo vetëm për banorët por edhe për çdo kalimtar, pasi aksi nacional nga Peqini e deri në Prrenjas kalon pothuajse i gjithi përbri Shkumbinit.
Përveçse ka një pamje shumë të shëmtuar, ndotja dhe pasojat e saj janë edhe më të mëdha.
Ambientalisti Landi Mitrushi thotë se ndotja që prodhohet kalon direkt në organizmin e njeriut: “Ndotja që shkakton plastika është shumë e rrezikshme për florën dhe faunën. Peshqit po ushqehen me copëza plastike, që kalojnë në organizmin e tyre e më pas të njerëzve që konsumojnë peshqit”.
Përballë kësaj situate, bashkitë ndihen të pafuqishme pasi nuk kanë kompetenca, “Bashkitë shpenzojnë shumë para për të mbrojtur mjedisin, por nga ana tjetër, institucionet që kanë detyrimin ligjor për të vendosur gjoba ndaj kundravajtësve nuk e bëjnë detyrën e tyre. Duhet që bashkitë të kenë mundësinë që të vendosin vetë gjoba” u shpreh Kastriot Gurra, kryetar i Bashkisë Librazhd.
Sipas një kronike të Top-channel situata e ndotjes në Shqipëri mbetet alarmante dhe përveç aksioneve sporadike, asnjëherë nuk janë marrë masa konkrete për zgjidhjen e problemit.