Gushti njihet ndryshe si muaji i emigrantëve, pasi të gjithë presin pushimet për të ardhur në vendlindje, e për t’u takuar me familjarët dhe miqtë e tyre. E këtij momenti ka vendosur t’i kushtojë një mbrëmje të veçantë famullia e “Dajç-Bregu i Bunës”, duke organizuar festën e emigranteve. Dajçi është një nga zonat ku kanë emigruar 80% e banorëve ndaj dhe famullia i kujton ata me një festë që organizohet pikërisht në gusht, muajin e rikthimit në tokën amë.
Një gjetje për një zonë që në masë ka emigruar, prandaj famullitari dom Gjovalin Simoni tregon se vendosi ta bëjë këtë festë, gjatë momenteve që bashkëbisedonte me besimtarët e zonës, kryesisht të moshuarit. Oborri i kishës u kthye në një mjedis takimi mes emigranteve, por edhe feste të përbashkët që u shoqërua me interpretime të grupeve artistike.
Festa ka zgjatur për disa orë, ndërsa famullia Dajç synon ta kthejë në traditë këtë organizim, për të shënuar një bashkim të të gjithë zonës, por edhe për të shprehur falenderimin për kontributin që japin emigrantët në atdhe.