"Të dua”

Tuesday, 21 August 2018 18:55

Dhori Qiriazi

Të dua!

Mendohu!

Të dua!

Kapërcej udhëkryqet e jetës,

kapërcej shiritat e bardhë të rrugëve të asfaltuara

me këto fjalë të përjetshme: “Të dua!”

Oh, si janë qiejt tanë të kaltër,

më të butë se mëndafshi i deteve mesdhetare!

Atje ndizen me miliona yje natën,

ndërsa unë, në kupolë të tyre, kam shkruar: “Të dua!”

Mbi rërën e plazheve kam shkruar: “Të dua!”

mbi dyert e kabinave: “Të dua!”

mbi granitin e maleve : “Të dua!”

Dhe kam zbritur poshtë hendekëve

dhe livadheve të gjelbra plot lule: “Të dua!”;

Pranë kallamave fërshëllonjës

dhe pranë lëvoreve të drurëve shekullorë kam shkruar: “Të dua!”

Mbi velën e kuqe të banderolave,

ku shkruhen gjëra të rëndësishme me gërma të bardha,

Unë shtoj me mend edhe këto fjalë: “Të dua, të dua!

Mendohu,

të dua!”

Login to post comments