Instituti i Monumenteve të Kulturës ka publikuar së fundi librin e autorit Aleksandër Meksi ”Restaurimi i monumenteve të arkitekturës”. Libri “Restaurimi i monumenteve të arkitekturës” është fryt i punës disavjeçare të prof. Aleksandër Meksit në fushën e restaurimin të monumenteve të arkitekturës në Shqipëri.
Shtimi i punimeve konservuese dhe restauruese, zgjerimi i problematikës së ndërhyrjeve që kryhen dhe i njohjes më të mirë të asaj që paraqet monumenti, e bën përherë e më të nevojshme paraqitjen tërësore të teorisë dhe praktikës së restaurimit të monumenteve të arkitekturës. Mbi bazën e tyre dhe të kërkimeve e diskutimeve të vazhdueshme, janë formuar një seri qëndrimesh teorike dhe zgjidhjesh praktike, të cilat kanë bërë të mundur hartimin e një botimi të tillë.
Libri në fjalë është një botim, i cili trajton me kujdes vendin e monumentit të arkitekturës në tërësinë e dëshmive kulturore të njerëzimit, shpjegimin e konservimit dhe restaurimit të monumenteve, klasifikimin e ndërhyrjeve, specifikat e restaurimit të gjinive të ndryshme të monumenteve si dhe aspektin teknik të këtyre ndërhyrjeve. Ai shërben si një udhërrëfyes shumë i mirë për specialistët, arkitektët, urbanistët, studentët, si dhe për lexuesit e interesuar rreth problematikave të kulturës.